Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit me kohëzgjatje prej një muaji ndaj tetë të dyshuarve Xh.G., F.G., K.G., A.G., L.K., D.K., Q.K dhe A.M për vrasjen e së enjtes në fshatin Balincë në Malishevë.
Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga bashkëpunëtori profesional në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Hekuran Batusha.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se ndaj të pandehurve me inicialet XH.G, F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të pandehurit me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, tha Batusha.
Sipas tij, Xh.G dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa të dyshuarit e tjerë, F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M dyshohet se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri XH.G, ka kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë” nga neni 173 par.1 në par.1.5 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurit F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 par.1 të KPRK-së”, shtoi Batusha.
Kujtojmë se sot, Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh, ka dhënë detaje lidhur me rastin e vrasjes që ndodhi pasditen e së enjtes në fshatin Balincë të Malishevës, duke thënë se lidhur me rastin janë arrestuar tetë persona. Aty thuhet se rasti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy grupeve.
“Pas një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve, të dyshuar meshkujsh kosovar, njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një pistoletë si dëshmi materiale, ndërsa janë arrestuar tetë të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim