Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se deri më tani vetëm tri komuna kanë miratuar faljen e deri 100 euro tatim të gjithë banorëve të këtyre komunave, që mundësohet në Ligjin për Tatimin në Pronë, i cili së fundmi është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
“Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat për të cilat në javën që po lëmë pas është raportuar se kanë miratuar faljen e një pjese të barrës së tatimit në pronë, ashtu siç e mundëson ligji i ndryshuar për tatimin në pronë”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ministri ka theksuar se si ekzekutiv kanë hartuar ligjin e ndryshuar, dhe pas kësaj ligji është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo”, theksoi ai.
Murati potencoi se deri në fund të muajit gusht 2023, nga tatimi në pronë komunat “kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022”.
“Marrë parasysh këtë performancë të mirë, i inkurajoj edhe komunat tjera që të shfrytëzojnë mundësinë e faljes së një pjese të tatimit në pronë që të lehtësojnë barrën e qytetarëve, para datës 15 shtator 2023, kur edhe përfundon afati ligjor”, përfundoi ai.