Për tri ditë rresht, me 1, 2 dhe 3 shtator, qytetarë nga mbarë Kosova dhe jashtë saj, u kënaqën me aktivitetet e shumta ditore dhe koncertet e tri netëve që kishin përgatitur për sivjet organizuesit e festivalit “Hardh Fest”, shkruan kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, duke rinuovuar ftesën per vitin 2024.
Në një postim në Facebook, Latifi e përshkruan festivalin e tanishëm, dikur festa simbolike rrushit, si “madhështor, shumëngjyrësh e rekreativ, që mbledh të rinj e të reja nga e gjithë bota, për t’u kënaqur e dëfryer, për të parë e shijuar, sigurisht, përjetime të shumta e të paharruara nga oferta e pasur dhe e shkëlqyer që përmban e pëfaqëson festa e jonë, por edhe për ta njohur vreshtarinë e verën rahovecase, sikurse edhe vlerat e trashëgimisë tonë të pasur kulturore e natyrore e potencialeve të mëdha të turizmit”.
Kryetari Latifi u kujdes të falenderonte edhe këshillin organizues të këtij festivali, organet e rendit dhe ligjit, policinë, sigurimin dhe ekipin e QKMF-së, njësinë e zjarrfikësve si dhe ekipe e individë që kryen detyrat e veta me përgjegjësi të lartë dhe me vigjilencën e treguar mirëpritën dhjetëramijëra pjesëmarrës, vizitorë e turistë të shumtë, pa u shënuar as edhe incidenti më i vogël, por pa harruar edhe donatorët që mundësuan realizimin me sukses të edicionit të 22-të, dhe mediat që i dhanë jehonën e duhur.