Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një postim në facebook ka njoftuar se sot Policia e Kosovës ka zhvilluar një bastisje në në veri të Kosovës, saktësisht në Zveçan.
Ai fillimisht ka shkruar për të treguar se për dy dekada veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.
Pastaj në postimin e Sveçlës shpjegohet se aksioni në fjalë është kryer në bashkëpunim me Inteleigjencen e Kosoves të cilët e kanë identifikuar shtëpinë që pastaj është bastisur. Sipas Sveçles, shtëpia e bastisur ishte përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
Ja çarë shkruan Ministri Sveçla: “Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm. Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha ai.
Për më tepër Sveçla tha në vendin e ngjarjes ka qenë edhe përfaqësues të LKFOR-it dhe se deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.
“Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha ai.
“Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës”, ka përfunduar Sveçla
