Dy punëtorë ndërtimi janë arrestuar sepse kanë bërë qëllimisht një vrimë të madhe nëpër të cilën mund të kalonin në Murin e Madh të Kinës.
Policia kineze në provincën Shanxi ka konfirmuar se dy punëtorë ndërtimi kanë dëmtuar rëndë Murin e Madh të Kinës, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Një burrë 38-vjeçar dhe një grua 55-vjeçare janë arrestuar nga policia në qarkun Youyu nën dyshimin se kanë dëmtuar pikën historike kombëtare për të krijuar një rrugë të shkurtër për punimet e ndërtimit.
Muri i Madh ka qenë një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 1987.
I ndërtuar së pari nën sundimin e Qin Shi Huang rreth vitit 220 pes për të penguar përparimet nga territoret veriore (Mongolia dhe Rusia e sotme), Muri është rindërtuar shumë herë gjatë historisë.
Pjesa më e madhe e murit rreth 22,000 km sot u ndërtua gjatë Dinastisë Ming në shekullin e 17-të.
Zona e prekur nga dëmtimi njihet si Muri i Madh i 32-të. Dyshja akuzohen se kanë hapur një hendek të madh në një zgavër ekzistuese midis dy pjesëve të murit. Ata e zgjeruan hendekun për të krijuar një rrugë përmes perimetrit.
Policia ka thënë se dyshja kanë shkaktuar “dëm të pakthyeshëm në integritetin e Murit të Madh Ming dhe në sigurinë e relikteve kulturore”.
“Aktualisht, dy të dyshuarit janë arrestuar penalisht në përputhje me ligjin dhe rasti po vazhdon të hetohet”, raportoi CCTV, transmetuesi zyrtar i vendit.