Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar nënshkrimet për themelimin e Komisionit Parlamentar për çështjen e rezervave shtetërore.
Ata i janë drejtuar me kërkesë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me 2 kërkesa:
Hetim parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore
Hetim parlamentar lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Këtë e ka bërë të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, i cili në emër të deputetëve të LDK-së e ka dorëzuar kërkesën në Kuvendit.
Në profilin e tij në facebook ka shkruar: “Sot i dorëzuam nënshkrimet për themelimin e Komisionit Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva”.
Ai më tutje shtron pyetje duke shkruar: “Çka është bërë me rezervat shtetërore?
Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre?
A kanë qenë kontratat konform ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave?”
Sipas tij, “Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme.
Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!”
Për dyshimin me rezerva shtetërore njësia për Krime Ekonomike e Kosovës, në mesin e muajit gusht ka kryer bastisje në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, ku dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një biznesmen ishin arrestuar.
Ditë më parë gjykata u ka ndërprerë paraburgimin për tu mbrojtur në liri.