Armiqtë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa ka komentuar kërcënimet me jetë që i janë bërë nga organizata terroriste “Severna Brigada”.
Ai ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht i sigurt falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të saj.
Teksa është deklaruar sot për kërcënimet që organizata terroriste serbe “Severna Brigada” i ka bërë të martën atij dhe kryeministrit Albin Kurti, Sveçla ka thënë po ashtu se është Policia e Kosovës që garanton qetësi dhe që institucionet të punojnë të sigurta.
“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt, mu falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të tyre, pra, sukseset e PK-së, ajo që na garanton që qytetarët të kenë jetë të qetë, e institucionet të punojnë të sigurta. Patjetër, se në luftën tonë për drejtësi, për rend dhe ligj, gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte, të cilët në një mënyrë apo tjetër do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se edhe vetë PK ka policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë në mesin tonë për të festuar, por janë familjaret e tyre, të cilëve ua uroj ditën e Policisë. Punët vazhdojnë, armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, tha ai.
Këto komente ministri Sveçla i bëri me rastin e vizitës që iu bëri njësiteve dhe pajisjeve të policisë në sheshet “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.