Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka shkruar sot për “Rrugën e Re” të partisë së saj, nismë kjo që është konkretizuar në 30 kapituj, e që sipas partisë që drejton Abdixhiku, ofron zgjidhjen për të gjitha fushat.
Halimi ka thënë se “Rruga e Re” është përkushtim për një shoqëri ku vendin e propagandës e zë përgjegjësia, për ofrim të zgjidhejve të problemeve të qytetarëve, e për Kosovën që rreshtohet krah botës që i prinë Amerika.
Reagimi i plotë:
Përgjatë dy ditëve diskutimi e punë të jashtëzakonshme, finalizuam Programin Politik të LDK-së, ‘Rruga e Re’, projektin e një kauze të madhe për perëndimorizimin dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Rruga e Re’ është përkushtimi për një shoqëri të lirë e të hapur, ku vendin e propagandës e zë përgjegjësia, për të ofruar zgjidhje të problemeve të qytetarëve; është rrugëtim drejt së ardhmes, drejt një mendësie qytetare, e cila lë pas gjuhën e urrejtjes, si në ditët me shumë dritë të LDK-së rugoviste, që nuk do ta ndajë shoqërinë kosovare në ‘ne’ dhe ‘ata’, por do ta unifikojë në pluralitet mendimesh e veprimesh politike.
Për Kosovën në rreshtin e botës që i prinë Amerika!
Për emancipim e mirëqenie!
Në një ambient paqësor e të vlerave të përbashkëta, të standardeve më të larta të humanitetit!