Pas kërcënimeve me jetë ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, Brigada e Veriut është aktivizuar edhe në terren.
“Severna brigade” siç njihet në gjuhën serbe, ka vazhduar fushatën kundër shtetit tonë përmes shkrimeve në mure.
“Mos u brengosni, jemi këtu për të ju mbrojtur. Kjo është porosia që qytetarët e Leposaviqit kanë marrë nga “Brigada e veriut’”.
Ky shkrim nga Policia e Kosovës është cilësuar sulm kundër rendit kushtetues.
“Kemi pasur disa grafite të cilat sipas informacioneve të cilat Policia i ka pranuar janë të freskëta. Edhe duke marrë parasysh që “Severna brigada” është organizatë terroriste e shpallur nga ana e shtetit të Kosovës atëherë edhe është trajtu si e tillë”, ka deklaruar Veton Elshani, Zv. drejtor – Drejtoria Rajonale Veri.
Më 29 qershor Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, por që nuk ka rezultuar me shumë arrestime.
“Me siguri duhet një hetim pak më i thellë nga ana e Drejtorisë të Përgjithshme të Policisë anti-terrori, krimi i organizuar, krimet e rënda në Prishtinë, në mënyrë që të dijmë se si të veprojmë tutje sepse ne nuk kemi ndonjë aktivtet në terren që shohim për individ të caktuar në lidhje me këtë organizatë. Çfarëdo veprimi që është i nevojshëm ne do ta bëjmë. Në momentin që kemi informacioen të mjaftueshme për me marr veprim”, ka thënë tutje Elashani.
Që nga përfundimi i luftës, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë. Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.
Në gushtin e vitit të kaluar, janë shfaqur grafitet, e brigadës së veriut. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.