Në korrik, një grup prej 56 ligjvënësish evropianë dhe amerikanë, i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, duke i kërkuar politikë më të ashpër perëndimore ndaj Serbisë, kryesisht në marrëdhëniet e saj me Kosovën
“Ne po kërkojmë të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë”, shkruan ata ndër tjera, duke theksuar se qasja aktuale nuk po funksionon.
Serbia, nuke e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008 dhe tensionet kanëq enë konstante mes dy vendeve prej atëherë. Këtë vit, ka pasur edhe tensione në veri të Kosovës, ku serbët etnikë janë shumica e popullsisë.
Letra u pasua nga artikuj në mediat amerikane dhe gjermane, si CNN dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke kritikuar Perëndimin për qetësimin e perceptuar të Serbisë, një vend i Ballkanit Perëndimor që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj shpresojnë ta bindin për t’u bashkuar me sanksionet ndaj Rusisë, për luftën e saj në Ukrainë.
Për Richard Kraemer, një bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme të SHBA-së, mbulimi i lajmeve nga mediat perëndimore, nuk ishte befasi.
“Këto shfaqje modeste të pakënaqësive nga Beogradi, tregojnë se disa liderë perëndimorë janë të ngopur me dredhitë manipuluese të (presidentit serb Aleksandar) Vuçiq”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Bodo Weber, analist politik dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit në Berlin, tha se ai nuk e sheh letrën si dëshmi se Perëndimi po ndryshon sjelljet e politikën ndaj Serbisë apo Vuçiqit.
“Ky ndryshim do të ishte i mirëpritur, por për fat të keq, ne nuk shohim një kthesë të tillë në horizont. Përkundrazi, letra e disa parlamentarëve perëndimorë tërhoqi vëmendjen e mediave perëndimore, të cilat zakonisht rrallë shkruajnë për rajonin”, tha Weber në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
Gjatë një konference për shtyp në Beograd në fillim të gushtit, Vuçiq pretendoi se ai personalisht – dhe jo vendi – po kritikohet për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për “mbrojtjen e interesave të popullit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi”.
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill mbrojti qasjen e SHBA-së ndaj marrëdhënieve me qeverinë e Vuçiqit në një intervistë ekskluzive për Shërbimin Serb të Zërit të Amerikës.
“Ju keni politika jo vetëm për sukses, por sepse ato janë politikat e duhura për t’i pasur”, tha Hill.
Lidhjet e Beogradit me Rusinë
Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara, megjithatë ajo ka ruajtur marrëdhëniet e saj historikisht miqësore me Moskën.
“Të gjithë duhet t’i bashkohen sanksioneve, sigurisht vendet që aspirojnë t’i bashkohen Evropës”, tha Hill.
Në një deklaratë të tij, ambasadori serb në Washington Marko Gjuriç theksoi përkushtimin e vendit të tij “për të luajtur një rol pozitiv në rajon dhe për të përmirësuar lidhjet tona brenda këtyre aleancave”.
“Serbia është e përkushtuar që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe ka votuar në mënyrë të përsëritur për rezolutat e Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe afirmojnë sovranitetin territorial të kësaj të fundit”, thuhet në deklaratë.
Johanna Deimel, një eksperte gjermane për Ballkanin, vuri në dukje raportet e publikuara, bazuar në një dokument të SHBA-së, se Serbia ka pranuar në heshtje t’i sigurojë armë Ukrainës për mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
“Nga njëra anë, Beogradi është kritikuar për refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, dhe nga ana tjetër, duket se, për shembull, dërgesat e armëve në Ukrainë po ndihmojnë për të mbyllur një sy diku tjetër”, tha ajo.
Në letrën e korrikut, ligjvënësit e SHBA-së dhe BE-së kritikuan Vuçiqin për lidhjet e ngushta dhe mbështetjen ndaj Milorad Dodik, presidentit nacionalist të Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinën fqinje.
Dodik është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për “minimin e marrëveshjeve të paqes të Dejtonit”, një marrëveshje e sponsorizuar nga SHBA që i dha fund luftës në Ballkan në vitet 1990.
Një tjetër pengesë për marrëdhëniet më të mira midis Beogradit dhe Perëndimit është qëndrimi pro-rus i shefit të spiunazhit serb Aleksandar Vulin, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje të dyshuar në dërgesat e paligjshme të armëve, trafikim të drogës dhe keqpërdorimin e posteve publike.
“Sanksionimi i Departamentit të Thesarit ndaj Vulin – i paprecedentë pasi ai është një zyrtar i qeverisë serbe në detyrë – mund të interpretohet me të drejtë si një paralajmërim”, tha Kraemer.
“Mbetet për t’u parë nëse Washingtoni dhe partnerët e tij kanë guximin të sanksionojnë të tjerët të ngjashëm me Vulin”.
Në intervistën e tij me Zërin e Amerikës, Hill tha se mosmarrëveshja për Vulin, të cilin Vuçiq ka refuzuar ta shkarkojë, nuk e ka prishur shtrirjen perëndimore në Beograd.
“Sanksionet tona nuk janë kundër institucioneve por ndaj individit. Ne vazhdojmë të punojmë me Serbinë në fushat ku mund të gjejmë marrëveshje”, tha ai.
Çështja e Kosovës
Marrëdhëniet SHBA-Serbi janë gjithashtu të trazuara nga refuzimi i Beogradit për të njohur sovranitetin e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, pothuajse një dekadë pasi forcat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja ndërhynë për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve etnikë nga qeveria serbe.
Një studim i Departamentit Amerikan të Shtetit arriti në përfundimin se të paktën 6,000 shqiptarë të Kosovës kishin qenë viktima të vrasjeve masive nga forcat serbe në vitin 1999.
Tensionet e fundit u ndezën në prill kur serbët etnikë bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës, ku ata janë shumicë. Kjo çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë etnikë, të cilët u vendosën në zyrat e tyre me ndihmën e policisë së Kosovës.
Serbët u përpoqën të pengonin kryetarët e rinj që të merrnin objektin, por policia hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata. Serbët u përfshinë në përleshje të ashpra me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë më shumë se 50 rebelë dhe 30 trupa ndërkombëtare të plagosur.
Bojkoti i zgjedhjeve pasoi një dorëheqje kolektive të zyrtarëve serbë nga zona, duke përfshirë stafin administrativ, gjyqtarët dhe oficerët e policisë, në nëntor të vitit 2022.
Gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të dy u raportua se kishin arritur një marrëveshje në Ohër, një qytet liqenor në Maqedoninë e Veriut fqinje, për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.
Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe secila palë akuzon tjetrën për ngecje të procesit.
Sipas Deimel, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës “ka nevojë për një rivendosje të plotë”.
“Për mua është e pakuptueshme pse Josep Borell, kreu i diplomacisë evropiane, dhe të tjerët e vlerësuan kaq shumë “Marrëveshjen e Ohrit”, tha Deimel.
“Ishte një përpjekje serioze, një propozim konkret gjermano-francez në tryezë dhe më pas Vuçiq del nga dera dhe thotë se ai nuk e ka nënshkruar marrëveshjen”.
Hill tha se çështja e Kosovës është urgjente dhe se përparimi drejt zgjidhjes së saj është i nevojshëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të takohen me 14 shtator në Bruksel. Palët e konfirmuan pjesëmarrjen e tyre, derisa agjenda ende nuk është bërë publike. /Reporteri