Në seancën e së enjtes në gjykimin ndaj ish- kryetarit të Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarve tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar propozimin e mbrojtjes për përjashtimin e dëshmisë së dëshmitarit Dragan Beshakoviq.
Në këtë rast, Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq.
Ky propozim i mbrojtjes erdhi pasi që dëshmitari Beshakoviq duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Dragan Jabllanoviq, deklaroi se gjatë vitit 2018, kur ishte emëruar anëtar i komisionit për pranimin e punëve nuk kishte punuar në sistemet e Kosovës.
Por i njëjti paraprakisht deklaroi se gjatë viteve 2015-2017, kishte punuar edhe në organin e përkohshëm në Leposaviq sipas sistemit të Serbisë, si dhe në sistemin e Komunës së Leposaviqit në sistemin e Kosovës, në pozitën si drejtor i infrastrukturës.
“Baza juridike e emërimit të pesë anëtarëve të komisionit nuk është për mua, atëherë nuk kam punuar për sistemin e Kosovës”, tha dëshmitari Beshakoviqi.
E këtu ka reaguar mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Bonaviq, avokati Arianit Koci, i cili propozoi që të përjashtohet dëshmia e këtij dëshmitari pasi që sipas tij, raporti është hartuar pa pasur mandat të organeve të Republikës së Kosovës.
Koci tha se ky raport qenka bërë prej organeve të Republikës së Serbisë të cilat ai i quajti si organe kundër kushtetuese.
“Unë propozoj që menjëherë me përjashtu këtë dëshmitar të mos vazhdoj për kundër kushtetutshmëri se këtu nuk e ka bo ky si dëshmitar po si anëtar i komisionit i formuar prej Serbisë.
Po ashtu qysh në fillim të dëshmisë së tij, kur dëshmitari Beshakoviq deklaroi se aktualisht punon në organet në organin e përkohshëm në Leposaviq sipas sistemit të Serbisë avokati Koci tha se i njëjti nuk i plotëson kushtet si dëshmitar sepse nuk është i besueshëm.
“Kështu që ky nuk është dëshmitar i besueshëm edhe i paanshëm. Pa fillu dëshminë ky haptazi nuk i plotëson kushtet për dëshmitar, ky po thotë unë jam në organe paralele ky s’ta pranon gjykatën mas pari, ky po thotë jam në organe paralele ky s’ta pranon hiç shtetin e Kosovës”, tha Koci.
Ndërsa, në emër të të gjithë mbrojtësve tjerë, mbrojtësi i të akuzuarit Mehdi Haxhiu, avokati Xhafer Tahiri kërkoi nga gjykata përjashtimin e dëshmisë së tij dhe raportit të përgatitur nga ai.
“Dëshmitari dhe raporti që ky dëshmitar e ka përgatitur nuk duhet të pranohet nga Sistemi i Republikës se Kosovës për shkak se dëshmitari sapo pranoi që nuk ka qenë punëtor i Komunës së Leposaviqit sipas ligjeve dhe kushtetueses se Kosovës”, tha Xhaferi.
E sipas tij, rrjedhimisht një aktakuzë e prokurorisë së shtetit e Republikës së Kosovës, Prokurorisë Speciale, nuk mund dhe nuk duhet të bazohet në një dokument nga personat të cilët nuk kanë qenë punëtorë të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, prokurorja Merita Bina-Rugova tha se nuk ka arsye për largimin e dëshmitarit pasi që sipas saj i njëjti është ftuar si person i cili ka qenë zyrtar i Komunës në periudhën 2015-2017 kur edhe janë kryer veprat penale.
“Dhe me asnjë dispozitë ligjore nuk është paraparë se komisioni i cili duhet të vlerësojë punën e kryer duhet me qenë i përbërë prej zyrtarëve të Komunës dëshmitari vet na ka shpjeguar se komisioni ka qenë i përbërë prej personave sipas profesioneve te tyre, mes tyre ka pas njerëz qe ka pas të punësuar sipas sistemit të Kosovës ka pas njerëz të cilët kanë qenë të papunësuar” , tha prokurorja Bina-Rugova.
Tutje ajo deklaroi se ky raport i përpiluar nuk e mban vulën e Serbisë dhe në asnjë vend nuk përmendet se është përpiluar nga shteti i Serbisë.
“Komisioni është i përpiluar sipas kërkesës së kryetrarit legjitim të Leposaviqit i cili ka ardhë në vend të të akuzuarit të parë Dragan Jabllanoviq. Nuk ka asnjë arsye të veçohet as ky dëshmitar e as raporti”, ka thënë tutje prokurorja Bina-Rugova.
Mirëpo, ky propozim u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani.
E pas refuzimit të këtij propozimi nga ana e gjykatës, mbrojtja kërkoi që prokuroria ta prezantoj vendimin e kryetarit Todiq të vitit 2018 për emërimin e këtij komisioni dhe të vërtetohet a e ka nënshkruar dhe vulosur me vulën e Republikës së Kosovës, me vulë tjetër apo nuk është vulosur fare.
“Të gjithë mbrojtësit kemi pyetje për dëshmitarin por deri kur të vërtetohet autenticiteti i atij vendimi dhe raporti mbrojtja do të jetë pasive… do të marr pjesë në gjykate por të vazhdohet vetëm pasi të konstatohet”, tha avokati Tahiri.
Paraprakisht, në këtë seancë dëshmitari Beshakoviq duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Bina-Rugova ka thënë se përveç tij që ka punuar në dy sisteme atë të Kosovës dhe atë të Serbisë ka punuar edhe ish-kryetari i Leposaviit këtu i akuzuari Jabllanoviq.
“E di që për kryetarin e komunës që ka qenë drejtor për çështje sociale i sistemit serb në të njëjtën kohë”, tha Beshakoviqi.
Si drejtor i infrastrukturës në Komunën e Leposaviqit dëshmitari ka thënë se ka punuar sipas statutit të kësaj komune.
Këtë pozitë ai tha se e kishte mbajtur deri në muajin e shtatë të vitit 2017, po faktikisht sipas tij kishte punuar deri në qershor të 2017-ës që më pas në atë pozitë sipas tij ishte emëruar dikush tjetër.
“Por ka dal faktikisht qe kam punuar deri në qershor te vitit 2017 sepse kryetari i komunës me ka shkarkuar pa asnjë arsye dhe pa një vendim”, tha ai.
E sipas tij në bazë të shënime në atë pozitë ishte emëruar Aleksander Kostiq.
Gjatë deklarimit të tij, i njëjti tha se “as nuk di kush m’ka thirr si dëshmitar as ne çfarë cilësie”.
Por lidhur me këtë kryetarja e trupit gjykues dhe prokuroja ia shpjeguan të njëjtit arsyen.
Sipas prokurores Bina-Rugova arsyeja e dëgjimit si dëshmitar është sepse në bazë të shkresave është kuptuar se ka qenë kryetar i komisionit që ka përpiluar raport.
Tutje i njëjti ka thënë se Komuna e Leposaviqit nuk e pas person të certifikuar për furnizim por më vonë ishte angazhuar një person tjetër nga komuna tjetër e sipas tij ai ishte i akuzuari Haxhi Betja.
Sipas tij, ideja që të angazhohet ky persona ka mundur të jetë nga kryetari i Komunës.
Dëshmitari Beshakoviq në vazhdim ka thënë se është në dijeni se kush i ka fitu kontratat për tre vite për ndërtime të larta dhe për ndërtime të ulëta por se kush ka vendosur për kriteret e tenderit nuk është në dijeni.
E për të parë se a janë kryer punët ai tha se si komision kanë dal në teren dhe se kanë përpiluar raportin për çdo dalje.
Ky komision sipas tij ishte formuar pasi që kishte ardhur pagesa në përmbarues nga ana e punëryerësve të cilët e kanë kryer punën dhe se kur kishte ardhur kryetari i ri i komunës në fund të vitit 2017 ishte ballafaquar me bllokim të buxhetit.
Ai ka thënë se kërkesa e kompanisë “Lirigzoni SHPK” ka qenë diku në vlerë 3 milionë euro,
“Ka qenë e madhe diku deri në 3 milionë euro, se ne vetëm për infrastrukturë e kemi pas buxhetin diku 1 milion kurse me rroga e me të gjitha besoj që nuk e kalon 3 milion”, ka theksuar Beshakoviqi.
Kurse, lidhur me kontratën e asfaltimit të rrugëve dëshmitari ka thënë se kur kishin dal në vendngjarje kanë parë së disa projekte kanë qenë të mjaftueshme dhe kanë mundur të pranohen për situatën e pagesës por shumë prej tyre nuk kanë mundur të pranohen edhe sipas kualitetit edhe kuantitetit.
Sipas tij, ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian.
Për tetë akset rrugore sipas tij kontrata në mes të Bashkimit Evropian dhe Leposaviqit ka qenë rreth 400 mijë euro.
Punimet për këto tetë akse rrugore sipas tij financiarisht janë kryer nga Bashkimi Evropian por punimet kishin vazhduar ende nga punë kryerësi.
“Financimi nga BE-ja është kryer komplet është bërë pagesa, ndërsa kompania e rrugëve ka vazhduar punën dhe ka paraqitur situacione të reja me shuma të mdhaja për punë shtesë edhe e ka ngarku buxhetin e komunës”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ai ka thënë se sipas dokumentacionit organ mbikëqyrës kanë qenë Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq.
Tutje, ai ka thënë se nuk ka njohuri se është përmbushur kontrata për furnizimin me pajisje për filtrimin e ujit për pishina.
Në këtë seancë, për arsye shëndetësore është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarën Jellica Baraq.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup, ashtu që pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.
Po ashtu, i njëjti akuzohet se me vendimin e 2 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për drejtor të Prokurimit në Leposaviq, e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, kurse të pandehurve Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi, Jabllanoviq akuzohet se i ka caktuar në detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tyre.
Tutje, në aktakuzë, thuhet se si anëtarë të këtij grupi kriminal nga radhët e personave përgjegjës në organizatat private të biznesit dhe atë me të pandehurit Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga “Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N-ING.I”, dhe Nijazi Musliu nga “Eurometali”, akuzohen se kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të Komunës së Leposaviqit si dhe nenin 6 të Ligjit për Prokurim Publik.
Më tej, sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminojë operatorët tjerë ekonomikë, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milionë e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitojë tenderin dhe më 30 korrik 2015, ta nënshkruajë këtë kontratë, për periudhën kohore prej 30 korrik 2015 deri 30 korrik 2018.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Jabllanoviq, ka caktuar organ mbikëqyrës për këtë projekt operatorin ekonomik “F.N.-ING.I”, me të pandehurin Mensur Rama si menaxher i kompanisë, edhe pse ky biznes në atë kohë fare nuk ka qenë i regjistruar, po është regjistruar një javë më vonë.
Mensur Rama akuzohet se duke e shkelur ligjin ka përpiluar raporte të pavërteta të pranimit të punëve dhe furnizimeve për projekte të kontratës duke konstatuar se punimet kanë përfunduar sipas kontratës deri sa në realitet nuk janë kryer fare apo janë kryer në kundërshtim me normat e ndërtimit.
Ndërsa, i akuzuari Aleksandar Ackoviq, akuzohet se në cilësi të Organit Mbikëqyrës për disa projekte, me anëtarët të Komisionit për pranim teknik, të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, ndërsa për projekt tjetër, si anëtar i këtij komisionit me të pandehurin Bojan Banoviq dhe të pandehurin Aleksandar Kostiq si kryetar, kanë përpiluar raporte të pavërteta me të cilat i kanë pranuar punimet në terren, edhe pse ato punime nuk i kanë përmbushur standardet dhe nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.
Po ashtu, edhe i akuzuari Mirosllav Ivanoviq në cilësi të menaxherit të projektit, akuzohet se vazhdimisht i ka nënshkruar raportet duke vërtetuar gjendjen e cila nuk ka qenë reale, me ç’rast të njëjtit ia kanë mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” me të pandehurin Xhemajl Ferizi që për projektet “Rregullimi dhe adaptimi i hapësirës në objektin e varrezave në fshatin Koshutice”, “Ndërtimi i depos në Leshak”, “Ndërtimi i qendrës sportive në lagjen Trepça.” “Ndërtimi i sheshit të lojërave për fëmijë në rr. Dositej Obradoviq” në mënyrë të kundërligishme të përfitojë dobi pasurore në shumë prej 162 mijë e 685 euro e 31 centë, si dhe shumën prej 246 mijë e 28 euro e 42 centë për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se për kontratën kornizë “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunën e Leposaviqit”, me vlerë të parashikuar prej 3 milionë euro, me nr. të prokurimit 641/15/001/511 për periudhën 27 tetor 2015 – 27 tetor 2018, të nënshkruar me konzorciumin SHPK “Lirigzoni” & NNP “Bislimi” me drejtorin – të pandehurin Mehdi Haxhiu dhe pronar të pandehurin Haki Haxhiu, iu është mundësuar përfitimi në mënyrë të kundërligjshme shuma prej 1 milion e 647 mijë e 244 euro e 1 cent.
Kjo sepse, sipas aktit akuzues i pandehuri Aleksandar Ackoviq si Organ Mbikëqyrës, i pandehuri Aleksandar Kostiq, si kryetar i Komisionit të Pranimit Teknik, me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, si anëtarë, për 8 akse rrugore të financuara nga Bashkësia Evropiane dhe për projektin “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqanicë”, Aleksandar Kostiq si Projekt Menaxher, Aleksandar Ackoviq Organ Mbikëqyrës, si dhe Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijeviq – Komision për Pranim Teknik, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, kanë nënshkruar raporte të pavërteta për punimet të cilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.
Ndërsa, në aktakuzë thuhet se për kontratën “Furnizimi me pajisje për filtrimin e ujit në pishinat e qendrës sportive në Leposaviq”, me vlerë të parashikuar prej 200 mijë euro, me afat vetëm dy-ditor të dorëzimit të pajisjeve, të nënshkruar më 20 dhjetor 2016 me konzorciumin “Eurometal” SHPK & “Kruzni Tok”, me drejtorin Nijazi Musliu, atë të njëjtën ditë i pandehuri Jabllanoviq e ka caktuar të pandehurin Ivan Kadiq për menaxher të projektit, e dy ditë më vonë, më 22 dhjetor 2016, e pandehura Jellica Baraq, si menaxhere e Prokurimit, sipas urdhrit të të pandehurit Jabllanoviq, e ka përgatitur raportin e pavërtetë sipas të cilit konstatohet se pajisjet janë pranuar dhe propozohet që operatorit ekonomik t’i bëhet pagesa.
Tutje, sipas aktit akuzues, ky raport është prezantuar anëtareve të Komisionit për Inspektimin dhe Pranimin e Pajisjeve – të pandehurve Boban Millovanoviq, Alleksandar Ackoviq dhe Cedomir Timotijeviq, të cilët e kanë nënshkruar, duke i mundësuar operatorit ekonomik “Eurometal”, dhe të pandehurit Nijazi Musliu që më 20 mars 2017, në mënyrë të kundërligjshme në Raiffesen Bank të pranojë shumën prej 163 mijë e 573 euro e 20 centë.
Si dhe i pandehuri Dragan Jabllanoviq, akuzohet se më 9 nëntor 2017, në zyrat e Autoritetit Përmbarues “Alea” gjatë seancës dëgjimore, sipas dy kërkesave të Kompanisë “Lirigzoni”, të 26 tetorit 2017, dhe atë njëra për shumën prej 628 mijë e 990 euro e 21 centë dhe tjetra për 2 milionë e 611 mijë e 242 euro, si dhe sipas kërkesës së Kompanisë “Projektuesi” të 10 tetorit 2017 për pagimin e borxhit të pretenduar në shumë prej 197 mijë e 100 euro, i njëjti ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kreditorëve, të pandehurit Haki Haxhiu dhe Xhemajl Ferizi, duke i aprovuar në tërësi të gjitha kërkesat e tyre, edhe pse borxhi nuk ka ekzistuar.
Me këtë, i pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga Neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë