Kërkesa e NATO-s për koordinim, “vazhdimësi e qortimeve” ndaj sjelljes së Qeverisë së Kosovës

by informim

Deklarata e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se “çdo zbarkim i forcave speciale në veri të vendit duhet të bëhet në koordinim me NATO-n” po konsiderohet si tërheqje e vërejtjes ndaj Kosovës se si duhet të sillet karshi situatës së sigurisë në vend.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Visar Ymeri, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se kjo deklaratë është në përputhje edhe me marrëveshjen e Bratisllavës, në të cilën, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pranuar që vlerësimi i situatës së sigurisë, që përfshin edhe përdorimin e njësiteve të caktuara të policisë karshi situatës, të bëhet bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in.

banner

“Mendoj se deklarimi i djeshëm i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ishte jashtëzakonisht i qartë për atë se si NATO pret që institucionet e Republikës së Kosovës të sillen karshi situatës së sigurisë në vend. Pas rritjes së tensioneve në katër komunat në veri dhe protestave të dhunshme atje që kulmuan me sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe policisë së vendit, NATO po e rikonfirmon prezencën dhe mandatin e KFOR-it në Kosovë si forcë që garanton sigurinë dhe bën e mban paqen në Kosovë”, ka thënë Ymeri.Ndër të tjera, Ymeri ka theksuar se një kërkesë dhe praktikë e tillë për koordinim dhe bashkërendim ka ekzistuar qysh më herët.“Nuk e kisha quajtur kriter të ri pasi një kërkesë dhe praktikë e tillë ka ekzistuar gjatë tërë kohës. Fakti që sekretari i NATO-s ka ndjerë nevojën për të rikonstatuar këtë publikisht, nënkupton që një bashkërendim i tillë ka munguar”, ka theksuar ai.

Sipas tij, NATO-ja ka qenë shumë aktive në shprehjen e shqetësimit publik për sjelljen e Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës duke shtuar se “këtë deklarim të djeshëm e shoh si vazhdimësi të këtyre shqetësimeve e qortimeve ndaj sjelljes së KM dhe Qeverisë”.

Po ashtu, edhe profesori Seb Bytyçi vlerëson se policia dhe të gjitha institucionet duhet të jenë në kontakt me KFOR-in, por që nuk nënkupton se duhet të krijohet paralizë përmes koordinimit, pasi siç thotë ai, “policisë i duhet pavarësi operacionale për t’i realizuar aktivitetet e sundimit të ligjit”.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Bytyçi ka thënë se marrëveshja dypalëshe flet për FSK-në dhe aty nuk përfshihet policia.“Policia dhe të gjitha institucionet duhet të jenë në kontakt me KFOR-in dhe faktorët ndërkombëtarë me qëllim të parandalimit të përshtypjes se veprimet e tyre kanë për qëllim shtypjen e pakicës serbe në veri. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që duhet të krijohet paralizë përmes koordinimit. Policisë i duhet pavarësi operacionale për t’i realizuar aktivitetet e sundimit të ligjit”, ka thënë ai.

Ngjashëm situatën e vlerëson edhe ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkelzen Sopjani.Ai ka shprehur bindjen se nuk ka ndonjë rrezik konkret për luftë ose për eskalim të konfliktit në zonën e veriut të Kosovës si pasojë e kërkesës së NATO-s për forcat e policisë.

“Nuk e mendoj që ka ndonjë rrezik për luftë apo për ndonjë konflikt që do të mund të përshkallëzohej deri në atë masë”, është shprehur ai.

Sopjani nuk është i sigurt nëse kjo është një kërkesë e re teknike apo e programuar si diçka e re për institucionet e Republikës së Kosovës.

Ai ka vlerësuar se në çdo rast, kjo kërkesë është në kundërshtim me kërkesat kryesore që aleatët kanë pasur për 20 vjet, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit në tërë territorin e vendit.

“Nuk e di ka mundur të jetë ndonjë lëshim teknik apo ka qenë e programuar për të qenë një kërkesë e re për institucionet e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, nëse do të ishte kërkesë e re nuk e vlerësoj se do të ishte kërkesë e mirë, marrë parasysh se është drejtpërdrejtë në kundërthënie me kërkesat kryesore që i kanë qe 20 vjet për ne, e që është sundimi i ligjit, nëse këta po tentojnë me e minu sundimin e ligjit në veri, atëherë është diçka tjetër. Por, nuk besoj që na do të duhej të tërhiqemi nga misioni që kemi që sundimi i ligjit të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, sepse mos të harrojmë që edhe veriu është pjesë e Kosovës”, ka thënë Sopjani për Dukagjinin.

Ndryshe, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veriatlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë i situatës në veri të Kosovës.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy