Gjykata pranoi sot kërkesën për gjykim të zakonshëm për ish-ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për shpërthimin e Gërdecit.
Ish-ministri Mediu kërkoi në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) pyetjen e 90 dëshmitarëve për llogari të procesit.
Mes tyre, zyrtarë të lartë të mbrojtjes së DASH dhe qeverive, gjeneralë të NATO dhe ish-ministrat e Mbrojtjes së qeverisë shqiptare.
Avokatët kanë bërë me dije se në gjykimin e zakonshëm do të kërkojnë ekspertizë të re për shkaqet e shpërthimit, ndërsa do të pyesin dhe dëshmitarë që nuk janë pyetur më herët, e po ashtu personat ndaj të cilëve ka përfunduar hetimi.
Sipas avokatëve, ka dyshime se shpërthimi nuk ishte aksident dhe dikush ka ndezur një zjarr të qëllimshëm brenda depos së demontimit të armëve.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak.
Ka dyshime se ish-ministri në qeverinë Berisha, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona të tjerë, ka nxjerrë akte nën ligjore në kundërshtim me ligjin. Shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 të vrarë.