Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka folur me serbët e Kosovës që të jenë të gatshëm për dialog dhe për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.
Megjithatë, ai ka folur shkurt mbi këtë pa e specifikuar nëse i ka inkurajuar për të marrë pjesë në zgjedhje ose jo, përkundër që pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve ishte kërkesë për Serbinë nga bashkësia ndërkombëtare për ta shtensionuar situatën në veri të Kososvës.
“Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiq.
Këto deklarata ai i bëri sot kur është dita e fundit kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të strukturave paralele të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.
“Diskutohet që serbët të lënë vatrat e tyre shekullore, t’ua lënë ndërtesat dhe pronën e tyre atyre të cilëve nuk u ka qenë kurrë”, pretendoi Vuçiq.
Vuçiq përmendi edhe deklaratën e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për dërgimin e Njësisë Speciale në veri të vendit.
“Prishtina ka dashur të dëshmojë se si pushteti i tyre nuk ka fund dhe përkundër mesazheve të djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për policinë në veri – ata kanë hyrë në fabrikën në Zubin Potok. Ata mund të bëjnë çfarë të duan, pavarësisht se çfarë ka folur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s”, pretendon Vuçiq.
Arrestimin e një serbi, ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës, i cili dyshohet për marrje ryshfeti, Vuçiq tentoi ta paraqiste sikur “arrestim ndaj serbëve nga regjimi i Kurtit”.
“Ata vazhduan të arrestonin serbët për disa krime të vjetra të para 3-4 viteve”, derisa ka folur edhe për “sulmet ndaj serbëve, të cilat kanë ndodhur që nga ardhja në pushtet e kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti”.