Erdogani kërkon që Rusia të mos “margjinalizohet” në ujdinë për drithërat

by Nexhat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje të dielën që Rusia të mos “margjinalizohet” në bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje të rëndësishme për eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

“Asnjë proces që e margjinalizon Rusinë në iniciativën e Detit të Zi për drithërat nuk do të jetë i zbatueshëm”, tha Erdogani për gazetarë në mbyllje të samitit të G20-ës në Nju Delhi më 10 shtator.

banner

Ai njoftoi për një takim të ardhshëm rreth kësaj çështjeje mes përfaqësuesve nga Rusia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara (OKB), pa treguar datën dhe vendin e saktë të takimit.

OKB-ja dhe Turqia e ndërmjetësuan marrëveshjen për drithërat vitin e kaluar, e cila mundësonte kalimin e sigurt të anijeve civile përmes Detit të Zi, por ajo dështoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.

Që prej atëherë, Rusia i ka sulmuar vazhdimisht portet dhe infrastrukturën e Ukrainës. Kievi i ka cilësuar këto sulme si përpjekje cinike të Rusisë për t’ia dëmtuar asaj eksportin dhe për ta minuar sigurinë e ushqimit global.

Një sulm rus me dronë të hënën e goditi një qendër të eksportit të drithërave në lumin Danub, thanë zyrtarët, duke shtuar se u dëmtuan depot dhe pajiset bujqësore si pasojë.

Pak orë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua me Erdoganin në Soçi, duke dhënë shpresa se ata mund ta ringjallin marrëveshjen.

Erdogani tha pas takimit se beson se mund të gjendet një zgjidhje shumë shpejt për marrëveshjen për drithërat.

“Mendoj se është e mundur të kemi përparim. Si Turqi, ne besojmë se do ta arrijmë një marrëveshje e cila do t’i përmbushë pritjet në një kohë të shkurtër”, theksoi ai.

Ndërkohë, Putini tha se Rusia është e “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi./REL

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy