Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë kësaj jave ka zhvilluar një varg takimesh për përgatitjet e takimit të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet më 14 shtator në Bruksel.
Vetë Lajçak ka treguar për takimet që ka zhvilluar në përmbledhjen javore që e publikon çdo të diele.
Takimi Kurti – Vuçiq, është i pari që kur në Veriun e Kosovës ka pasur tensione pas zgjedhjeve lokale të prillit në katër komunat veriore, që u bojkotuan nga Lista Serbe dhe u fituan nga katër kandidatë shqiptarë.
Lajçak ka thënë vazhdimisht se de-eskalimin e plotë në Veri të Kosovës e ka prioritet në agjendën e tij.
“Duke parë javën pas, ajo ka qenë e mbushur me punë përgatitore për Takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë. Fillova në Bruksel, ku u takova me 🇪🇺 bashkë-lehtësuesit e Parlamentit Evropian të Procesit të Dialogut Parlamentar me Asamblenë Kombëtare të Serbisë, deputetin e Parlamentit Evropian Matjaž Nemec dhe ish-deputetin e Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein. Më vonë të martën, u takova me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia. Ishte mirë të shkëmbejmë shënime mbi zhvillimet në terren dhe të ndajmë vlerësimet tona për burimet e mundshme të tensioneve në të ardhmen. Unë jam mirënjohës për punën jetike të KFOR-it në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë”, ka thënë Lajçak.
Ai ka folur edhe për takimin që e kishte me Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e Kosovës.
”Të mërkurën mirëprita Zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi në Bruksel. Ne diskutuam se si të avancojmë normalizimin e marrëdhënieve. U takova gjithashtu me Artur Lorkowski Drejtor i Komunitetit të Energjisë, për të eksploruar fushat e mundshme të bashkëpunimit dhe për të folur për energjinë si pjesë e Dialogut. Me ekspertizën e tij unike, Komuniteti i Energjisë kontribuoi në Udhërrëfyesin e Energjisë, të cilin e miratuam në qershor të vitit të kaluar”.
”Më vonë gjatë javës, udhëtova në 🇩🇪 Berlin ku pata diskutime të rëndësishme në Kancelarinë dhe Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane. U takova me Drejtorin Politik në Ministrinë e Jashtme Tjorven Bellmann dhe Kryekëshilltarin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Kancelarit Gjerman Jens Plötner. Ne u fokusuam në gjendjen aktuale dhe irrituesit e mundshëm në Dialog, ndamë pritshmëritë tona për Takimin e Nivelit të Lartë dhe hartuam një strategji për rrugën përpara. Përkushtimi dhe mbështetja e fuqishme nga Gjermania vazhdojnë të jenë të paçmueshme”.
”Pas kthimit tim në Bruksel të enjten mbrëma, prapëseprapë arrita të takohesha me mikun tim 🇬🇧 të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Lord Peach. Kemi shkëmbyer mendime rreth zhvillimeve të fundit në rajon. Vlerësimi i Lord Peach për situatën e sigurisë si një ekspert me përvojë në atë fushë vlerësohet gjithmonë. Përgatitjet për takimin e 🇪🇺 të Dialogut të Nivelit të Lartë më 14 shtator janë me shpejtësi të plotë dhe ne po punojmë drejt rezultateve positive”, ka shkruar Lajçak në Facebook.