Qendra për Informim dhe Përmirësim Social “Linja e Jetës” po kërkon nga qeveria krijimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjes.
Në Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes, drejtori i kësaj organizate, Bind Skeja, tha se duhet të identifikohen metodat për intervenim dhe komunitetet të cilat kanë nevojë për intervenim të tillë.
“Si Linjë e Jetës ne vazhdojmë të angazhohemi që disa vite në këtë fushë dhe avokojmë për implementimin e politikave progresive mbi parandalimin e vetëvrasjes. Kjo nënkupton, në nivelin më bazik, që Kosova të ketë së paku një strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjes. Të identifikohen metodat për intervenim dhe komunitetet të cilat kanë nevojë për një intervenim të tillë. Sidoqoftë, ndonëse kemi pritur qeveri të ndryshme, kjo ende nuk është vu në letër”, tha Skeja.
Tutje, ai renditi disa kërkesa lidhur me parandalimin e vetëvrasjes, që sipas tij institucionet duhet t’i zbatojnë sa më shpejtë të jetë e mundur.
Po ashtu, ai potencoi se pavarësisht kërkesave që i janë adresuar Ministrisë së Shëndetësisë, ato sipas tij nuk janë realizuar.
Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e masave parandaluese për zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje në nivel global.
Sipas statistikave globale afërsisht 800.000 njerëz bëjnë vetëvrasje çdo vit.
Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme, ndërkaq helmimi, varja dhe armët e zjarrit janë ndër metodat më të përdorura të vetëvrasjes në nivel global