Ndeshja futbollistike Rumani-Kosovë është ndërprerë pak minuta pas fillimit të saj, për shkak të shpalosjes së banerit “Kosova është Serbi” nga tifozët rumunë.
Si rezultat i situatës së krijuar, në rrjetet sociale kanë shpërthyer reagimet e shumta duke përfshirë këtu edhe politikanët.
Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka reaguar në platformën “X”, duke thënë se këto skena janë ta papranueshme.
Unacceptable scenes in #Bucharest. Romanian fans provoke the Kosovo national team with a Serbian propaganda banner. This is scandalous! #Kosovo is independent, and politics has nothing to do with sports! pic.twitter.com/hbPtcW2z2c
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) September 12, 2023
“Skena të papranueshme në Bukuresht. Tifozët rumunë provokojnë kombëtaren e Kosovës me një pankartë propagandistike serbe. Kjo është skandaloze! Kosova është e pavarur, dhe politika nuk ka lidhje me sportin”, ka shkruar Pacolli.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar lidhur me këtë sjellje të tifozëve rumunë.
“S’ka sllogan që e ndryshon realitetin tonë! Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani – nuk na ndalin”, ka shkruar Krasniqi në një reagim në “Facebook”.
Ai ka shtuar se Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty.
“Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova!”, ka shkruar Krasniqi.
Reagim ka pasur edhe nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili ka thënë se kjo është turp për sportin.
“Kjo nuk ka lidhje me sportin, kjo është turp për sportin. Tre pikë janë më e pakta si kompensim moral ndaj dëmit që tifozeria rumene, pro serbe, i shkaktoi imazhit dhe reputacionit të ekipit së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri.