I ftuar në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN”, në Klan Kosova, ishte veprimtari Cen Desku, i cili rrëfeu për kontributin e tij dhe të figurave tjera të Komunës së Malishevës për dekadën e çlirimit 1989-1999.
Mes rrëfimeve të tij, ku foli për veprimtarin e shquar Zekeria Cana, ai foli edhe për familjen historike të Kosovës, familjen Jashari, me të cilën kishte komunikuar disa herë rreth shërbimeve ushtarake, pasi Desku një periudhë ishte edhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm në Komunën e Malishevës.
Teksa tregoi për tri takimet e zhvilluara me kryefamiljarët e familjes Jashari, Desku rrëfeu edhe momentin e vështirë, atë të varrimit të pjesëtarëve të kësaj familjeje, pas luftimeve kundër forcave serbe në mars të 1998-ës.
“Profesori [Zekeria Cana] e ka shfrytëzuar telefonin, e ka lajmëruar ‘Zërin e Amerikës’ dhe krejt botën se çka po ndodh. Të nesërmen kemi shkuar në Zyre të Lidhjes Demokratike në Skenderaj dhe prej aty kemi filluar për Prekaz, kemi qenë të rrethuar në të gjitha anët me polici serbe”, rrëfeu ai.
Ndër të tjera, Desku tregoi se nga Skenderaj kishin kërkuar ndihmë se si të veprojnë tutje, teksa kishte thirrur zyrën e LDK-së, nga ku u refuzua të ndihmohej. Siç shprehet ai, përgjigje mori nga Ramë Buja, i cili atë kohë ishte anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe kujdestar në zyrën e LDK-së në Prishtinë.
“Atë ditë kam thirrur në zyrën e LDK-së. Kishte qenë kujdestar sepse mbanim kujdestari atëherë, Ramë Buja, dhe po i them: o Ramë, ne jemi në Skenderaj, a keni ndonjë këshillë me na dhënë si të veprojmë, më tha Zoti iu ndihmoftë, se prej këtu nuk di, po gjenduni vetë”, tregoi ai.
Desku rrëfimin e pasuron duke treguar në detaje historinë e ditës së rivarrimit të anëtarëve të familjes Jashari, rrëfim ky të cilin mund ta ndiqni në vijim: