Komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore te KFOR-it, Kolonel Gabriele Vacca, ka vizituar sot Komunën e Kaçanikut, ku u prit nga Kryetari i Komunës Besim Ilazi.
Komuna e Kaçanikut ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook se gjatë takimit, Kryetari Ilazi ka thënë se niveli i bashkëpunimit me KFOR-in edhe më tutje vazhdon të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, ndërsa i ka falenderuar në vazhdim për paqen dhe qetësinë që kanë krijuar në vend tash e sa vite si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe përmes formave të tjera të ndihmave.
Edhe Komandanti Gabriele Vacca, konfirmoi bashkëpunimin e mëtejmë, duke falenderuar për mikpritje dhe koordinim të vazhdueshëm.
Në takim u diskutuan tema të përgjithshme që ndërlidhen me komunën dhe funksionimin e saj, njofton komuna.