Para disa ditësh, MAPL ka hartuar Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve nga funksioni. Ky udhëzim nisi të përpilohej si opsion favorit i krerëve të shtetit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri, mirëpo më pas ministri Elbert Krasniqi njoftoi se ai do të vlejë për të gjitha komunat. Lidhur me këtë, nga PDK kanë thënë se janë duke parë të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, mirëpo shtojnë se u nevojiten 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.
Më 23 prill u mbajtën zgjedhjet në katër komunat veriore, të cilat u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë. Si pasojë, në Veri pati tensione, për uljen e të cilave, një nga hapat është shpallja e zgjedhjeve. Për t’i evituar dorëheqjet, pushteti përmendi peticionin, për çka MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili nga njohës të çështjeve juridike po konsiderohet si në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Për këtë çështje, ka folur anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi. Ai vlerëson se udhëzimi administrativ është “tepër i dobët, antiligjor dhe antikushtetues”.
Gjoshi i tha Gazetës Express se udhëzimi administrativ është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është KQZ.
“Ekipi i ekpertëve në Partinë Demokratike të Kosovës e ka lexuar me kujdes dhe e ka analizuar udhëzimin administrativ që e ka përgatitur qeveria Kurti përmes së cilit synon shkarkimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vebdit. Së pari, ky udhëzim administrativ është tepër i dobët, pastaj së dyti është anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Kjo sepse ky udhëzim është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Gjoshi.
Më tutje ai tha se janë duke i shqyrtuar mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, pasi shton se është precedant i rrezikshëm për Kosovën.
Mirëpo ai sqaron se për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nevojiten 30 nënshkrime.
Me hartimin e këtij udhëzimi administrativ, sipas Gjoshit është dëshmuar se Qeveria janë amaterë dhe nuk kanë njohuri e as kompetencë për një gjë të tillë.
“Ne jemi duke i përcjell këto zhvillime lidhur me komunat në veri të vendit dhe po shohim të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojmë sepse ky udhëzim administrativ është precedan i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Por, siç e dini, për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, neve na nevojiten edhe nënshkrimet e deputetëve të partive tjera opozitare pasi që duhen 30 nënshkrime. Por një gjë është e sigurt, ky udhëzim është anti-ligjor, është anti-kushtetues dhe është i pa zbatueshëm. Kjo qeveri edhe në këtë rast ka dëshmuar se janë amaterë dhe nuk kanë as njohuri e as kompetencë për ta shkruar një udhëzim administrativ e lëre më diçka më shumë”, tha Gjoshi
Për të njëjtën çështje, Express ka kontaktuar edhe zëdhënësit e dy partive tjera opozitare, LDK dhe AAK, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Ilir Peci e Izmir Zeqiri pro dorëheqjeve, kundër peticionit
Partia Demokratike e Kosovës ka arritur t’i fitojë dy komuna në Veri pas zgjedhjeve të 23 prillit, ku dalja e qytetarëve ishte tejet e ulët.
Izmir Zeqiri në Zubin Potok e Ilir Peci në Zveçan, janë duke ushtruar detyrën e tyre si kryetarë nga objekte alternative.
Por për largimin e tyre dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, për ta hap më i mirë është dorëheqja vullnetare përmes një marrëveshje politike me Kurtin.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, kishte thënë se hap më i mirë është dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike mes Qeverisë dhe PDK’së.
“Mirëpo, në pyetje se a më mirë është shkarkimi apo dorëheqja vullnetare?. Unë kam deklaruar se më mirë do të ishtë dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike, Qeveri-Partia Demokratike”, tha Zeqiri, duke shtuar se shkarkimi nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk është zgjidhje adekuate.
Ndërsa i pari i Zveçanit, Ilir Peci, ka deklaruar se mënyra e peticionit nuk i pëlqen, duke shtuar se ekziston mundësia e marrëveshjes me kryeministrin “për të mirën e qytetarëve”.
“Kjo mënyra e peticionit mua nuk është aspak duke më pëlqyer, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë ty, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit, gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi”, ka thënë ai në një intervistë për KP.
Pro dorëheqjeve ishin deklaruar edhe nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si mënyrën më të shpejtë, mirëpo Kurti disa herë kishte thënë që nuk mund ta kërkojë dorëheqjen e tyre