16 nxënësit shqiptarë të Velesit përfundimisht u bën pjesë e procesit mësimor në gjimnazin “Koço Racin”. Pas disa ditë humbje mësimi nxënësit u njoftuan me mësimdhënësit dhe lëndët për vitin e parë në gjimnaz. Prindërit e fëmijëve shprehen të kënaqur.
“Po, kanë shkuar, i kanë pranuar. Dje më telefonuan se vajza është pranuar dhe të vijoj mësimin për sot, vajza ka shkuar dhe ka nis mësimin prej sot. I falënderohem pa masë ministrit të Arsimit dhe çdo kujt tjetër që ka kontribuar, është angazhuar për vijimin e mësimit. Këtu e ka vendlindjen, e ke para sysh, 45 kilometra. Më mirë 45 kilometra se 100 ose 150 kilometra”, u shpreh një prind.
Ditë më parë, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se nuk do të kursej marrjen e kompetencave ndaj komunës së Velesit në rast se vazhdon të refuzohet vendimi i Ministrisë së Arsimit për pranimin e nxënësve në këtë gjimnaz.
Nxënësit shqiptarë të gjimnazit “Koço Racin” në Veles kanë protestuar për disa ditë radhazi për shkak të mos-hapjes së paraleles së dytë më mësim në gjuhën shqipe për nxënësit e vitit të pare në të cilën duhet të përfshihen 16 fëmijët e mbetur pa mësim.
Në gjimnazin “Koço Racin” nga viti i parë deri në atë katërt mësojnë mbi 80 nxënës shqiptarë të cilët pjesën më të madhe të lëndëve i ndjekin në gjuhen maqedonase pavarësisht që janë paralele shqipe./Alsat/