Abati Sava Janjiq për mediat Gjermane: Serbët në Kosovë nuk ndihen të lirë e as të sigurt

by engel

Abati i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, në një tekst autorial për gazetën gjermane Tagespiegel thekson se serbët në Kosovë nuk ndihen të lirë e as të sigurt dhe fajëson autoritetet në Prishtinë për inkurajimin e një Kosove “etnikisht të pastër”, transmeton Deutsche Vele.

Janjiq shkruan për gazetën e Berlinit Tagespiegel se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë janë më të tensionuara që nga trazirat e vitit 2004 dhe se ka raportime të vazhdueshme për presionin e serbëve nga policia e Kosovës.

banner

“Me ndihmën e saj duket se serbët duhet të detyrohen të dorëzohen, ndërkohë që në të njëjtën kohë nuk merren parasysh kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për deeskalim – veçanërisht kërkesa për tërheqjen e policisë dhe kryetarëve shqiptarë në veri Kosovës”, thekson Janjiq në tekst.

Ai vlerëson se pozita e serbëve u përkeqësua edhe më shumë me ardhjen e Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij.

“Kjo qeveri duket se dëshiron t’i nënshtrojë serbët e Kosovës me një pushtim de facto. Më kujtohet koha kur ne mund të bashkëpunonim hapur me institucionet e Kosovës. Por vitet e fundit, fjalimet nxitëse, agresiviteti i mediave dhe lajmet e rreme kundër Serbëve dhe Kishes sonë janë shtuar”, thotë ai.

Siç shton ai, të drejtat dhe siguria minimale aktualisht mund t’i atribuohen vetëm pranisë së KFOR-it dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Në të njëjtën kohë, përshkallëzimi i nacionalizmit mbarëshqiptar, i cili po ushqehet nga pushteti aktual në Prishtinë, shkon paralelisht me represionin dhe mosrespektimin e marrëveshjes, duke minuar besimin në institucionet e Kosovës që është ndërtuar në vitet e mëparshme”, thuhet në artikullin e publikuar në Tagesspiegel.

Janjiq shkruan se në Prishtinë ekziston dëshira për një “Kosovë etnikisht të pastër” dhe shton se të rinjtë serbë të Kosovës “që nuk duan të jetojnë si qytetarë të dorës së dytë” po radikalizohen.

“Në thelb, nacionalistët e të gjitha ngjyrave janë të bashkuar nga një vizion monstruoz i shoqërive etnikisht homogjene. Mungesa e gatishmërisë së BE-së për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor hapi rrugën për forcimin e nacionalizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit,” shton abati i Deçanit.

Siç thekson ai, serbët e Kosovës duan të jetojnë të sigurt dhe në paqe, por kjo është e vështirë të imagjinohet tani sepse autoritetet e Kosovës duan të detyrojnë besnikërinë nga policia.

“Ky ishte pikërisht gabimi i madh i Millosheviqit në vitet 1990. Kryeministri Kurti duket se po përsërit të njëjtën qasje”, shkruan Janjiq.

Lidhur me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili vazhdon sot në Bruksel, Janjiq thekson se fillimisht duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes viteve 2013 dhe 2022, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave Serbe, dhe vetëm më pas të kalohet në marrëveshjet e këtij viti nga Brukseli dhe Ohri, për të cilat ai vlerëson se “padyshim janë marrë vesh vetëm joformalisht”.

“Ne nuk mund ta vendosim çatinë e shtëpisë para themelit dhe mureve. Shtyllat e çdo shoqërie të qëndrueshme përfshijnë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të pakicave dhe respektimin e rreptë të standardeve ndërkombëtare të BE-së, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë në Kosovë”, ka shtuar Janjiq dhe përfundon:

“Çështja vendimtare është nëse Kosova me të vërtetë dëshiron të jetë një shoqëri e vërtetë evropiane në të cilën të gjithë mund të jetojnë të lirë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare – apo një shoqëri etnike-shqiptare në të cilën nuk ka vend për të tjerët”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy