Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj deklaroi se përgjegjësit për dështimin e sigurimit të teksteve shkollore, duhet të sillen para drejtësisë.
Sipas tij, politika nuk duhet të ngufat vendin dhe as të ketë interferime.
Në emër të AAK-së tha se ky debati parlamentar për librat është i vonë.
Dreshaj në seancë të jashtëzakonshme u shpreh se nuk ka arsyetime për dështim.
“Arsyetime për dështim nuk ka. Përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, kushdo qofshin ata. Ju përkujtoj që politika nuk është për të penguar dhe për të ngulfatur vendin, por është për të ndihmuar dhe për t’i larguar pengesat eventuale. A ka pasur interferime? Po ka pasur. Bie fjala në një tekst të vitit të parë shkollor, për të cilin është prononcuar edhe Nagavci. Ju përkujtoj që recensioni mund të jetë pozitiv apo negativ, nuk mund të jetë recension i gjatë apo i shkurtër. Janë hallkat që duhet të kalojnë nëpër të. Po ka pasur edhe në vitin e pestë kur është bërë presion që një nga recensentët që ka pasur recension negativ të bëjë pozitiv, ai tekst është publikuar”, deklaroi deputeti i AAK-së.
Sipas tij, pushteti aktual ka premtuar shumë për arsimin, por që një gjë e tillë nuk po ndodhë.
“A e kemi ditur numrin e nxënësve? Po. A e kemi ditur çmimin e teksteve? Po. A i kemi pasur shtëpitë botuese në kontakt? Po. Dhe çfarë ndodhi, u desh të pritej dhjetë ditë përpara të paraqitet ky problem, që të jetë edhe një ngarkesë për librat dhe për nxënësit tanë që ashtu-ashtu janë të pakënaqur me procesin dhe vendin”, deklaroi ai.
Në diskutimin e AAK-së me drejtorët e arsimit në komuna, deputeti Shemsedin Dreshaj tha se kanë ardhur në përfundim që ky vendimi i qeverisë konsiderohet i jashtëligjshëm dhe se ka shkaktuar pabarazi sociale.