OKB: Shumica e viktimave nga përmbytjet në Libi do të mund të shmangeshin

by Nexhat

Kombet e Bashkuara kanë thënë të enjten se mijëra vdekje në Libi – si pasojë e përmbytjeve të mëdha – do të mund të shmangeshin, nëse do të kishte paralajmërim të duhur dhe nëse do të funksiononte si duhet sistemi për menaxhim të emergjencave.

Me një koordinim më të mirë në këtë shtet të shkatërruar nga kriza “ata do të mund të lëshonin paralajmërime dhe forcat për menaxhim të krizave do të mund t’i lëviznin personat e evakuuar, prandaj do të mund të shmangeshin shumica e viktimave”, ka thënë Petteri Taalas, udhëheqës i Organizatës së OKB-së për Meteorologji.

Ai i ka bërë këto komente teksa ka folur për përmbytjet e fundjavës në Libi, të shkaktuara nga krisja e dy digave, duke i lënë mbi 4.000 njerëz të vdekur dhe mijëra tjerë të zhdukur, që besohet se mund të kenë vdekur.

Sasia e madhe e ujit që është përhapur në qytetin Derna e ka vërshuar një pjesë të madhe të vendbanimeve.

Taalas ka thënë se mungesa e parashikimeve për motin dhe mungesa e paralajmërimeve kanë kontribuuar në shkallën e katastrofës.

Konfliketet e shpeshta në këtë shtet të shkatërruar, nënkuptojnë se “rrjeti i vëzhgimit ka qenë shumë i shkatërruar dhe sistemet e teknologjisë informative janë dëmtuar rëndë”, ka thënë ai.

Qendra Meteorologjike e Libisë i ka lëshuar disa paralajmërime për mot ekstrem 72 orë më herët dhe i ka njoftuar autoritetet qeveritare përmes emailit, duke u bërë thirrje që të marrin masa parandaluese.

Mirëpo agjencia e OKB-së ka thënë se nuk e ka të qartë nëse paralajmërimet janë shpërndarë në mënyrën e duhur.

Ekipet e Kryqit të Kuq në Libi, e kanë përshkruar situatën në teren sikur të kishte ndodhur një bombardim i madh dhe një tërmet, në të njëjtën kohë.

Prej rrëzimit të udhëheqësit Muammar Gaddafi më 2011, Libia është ndarë në mes të dy qeverive rivale, të cilat janë përfshirë disa herë në konflikte.

Kryeministri Abdul Hamid Dbeibah e udhëheq Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli dhe gëzon mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

Osama Hamad, kryeministër në lindje, udhëheq një administratë rivale të njohur si Shtëpia e Përfaqësuesve.

Megjithatë, shumë persona besojnë se fuqinë e vërtetë në këtë krah e ka gjenerali Khalifa Haftar, i cili e udhëheq Ushtrinë Kombëtare të Libisë. /REL/

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy