Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, e ka quajtur adaptim të propozimit serb, propozimin e Bashkimit Evropian si “kompromis” në takimin e së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.
Në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se ka qenë Kosova e vetmja që ka propozuar plan të sekuencuar që parasheh zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes bazë, e që në qendër, sipas Mujës, ka njohjen de facto.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që ka dalë të premten në media, e që sipas zyrtarëve të BE-së ishte rrugë paralele mes qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë në dialog, “është më shumë në favor të Serbisë”.
“Plani i BE-së, u tha si kompromis, dhe unë e shqyrtova dhe e bëra një përkthim dhe ajo çfarë për mua është evidente është se në nëntë hapat e parë, është adaptim i draftit që ka dorëzuar Qeveria serbe”, ka thënë Muja.
Sipas tij, është e rrezikshme qasja nëse mendohet se pika që Serbia s’do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të shfrytëzohet si karotë.
Muja ka deklaruar se në të gjitha pikat e propozimit Serbia fiton gjashtë herë e vetëm një pikë shkon në favor të Kosovës.
“Nëse ky është plani, dallimi me planin që ka paraqit Serbia është se ajo i ka të gjitha që i shkojnë në favor Serbisë e që thotë tek në fund se nëse zbatohet shohim për obligime të tjera”, ka shtuar ai.