Si të mos mjaftonte lufta në Ukrainë, e cila ka qenë “dhimbje koke” për të gjithë botën, tani një situatë gjithnjë e më e tensionuar po shfaqet në Mesdhe. Krejt papritur, presidenti rus ka kthyer sytë në këtë pjesë të globit, ndonëse pa arsye. Moska po kërkon akses në një port në Libi, i cili mund të zgjerojë praninë e saj detare në një det të dominuar nga anëtarët e NATO-s dhe fuqitë e lidhura me të. Ideja e një baze në Libi ka qarkulluar ndër korridoret diplomatike për shumë vite. Për më tepër, Rusia ka qenë një aleat i ngushtë i gjeneralit Haftar që nga 2016-ta. Tani, megjithatë, presioni ndaj Haftarit do të ishte bërë edhe më intensive, siç raportuan disa gazetarë të “Wall Street Journal”. Sakaq, një tjetër biznes i rrezikshëm ka potencialin ta kthejë Mesdheun në një “pellg gjaku”, dhe këtu sigurisht ka “dorë” Moska.
Baza e re detare
Sipas “WSJ”, ka të paktën dy porte të identifikuara nga Moska për ankorimin e anijeve të saj. I pari është Bengazi, qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm në Cyrenaica, ku Haftar ka selinë. Tjetri është Tobruku, pak kilometra larg kufirit me Egjiptin, në pjesën më lindore të bregdetit libian. Në të dyja rastet, këto janë infrastruktura tashmë të gatshme dhe të pajisura për të akomoduar flotën. Tani, megjithatë, kërkesa do të kishte të bënte drejtpërdrejt me mundësinë e krijimit të një baze detare në një nga 2 portet më të rëndësishme në Cyrenaica. Përgjigja dhe vullneti i gjeneralit janë të paqarta për momentin, kjo edhe sepse Haftar aktualisht duhet të përballet me fatkeqësinë e shkaktuar nga cikloni Daniel në zonat që ai kontrollon. Një bazë detare në Libi do të lehtësonte padyshim planet e Vladimir Putinit.
Së pari sepse do ta bënte përfundimisht Rusinë një nga lojtarët kryesorë në vendin e Afrikës Veriore, ku edhe sot fuqitë e zonës po përpiqen të krijojnë hapësirat e tyre. Së dyti, sepse padyshim që do t’i jepte Moskës një terren të rëndësishëm drejtpërdrejt në territorin afrikan. Sakaq, vendosja e një baze disa kilometra larg Greqisë dhe Italisë do të ishte mosrespektim ndaj Aleancës Atlantike. SHBA i di mirë lëvizjet e Rusisë në Libi. Jo vetëm tani, por prej disa muajsh. Në fakt, nuk është rastësi që Uashingtoni është rikthyer në trajtimin e dosjes libiane pas vitesh mungesë pothuajse totale. Ideja e Shteteve të Bashkuara është e qartë: vetëm duke ribashkuar Libinë do të jetë e mundur të shmanget rrëshqitja përfundimtare e Haftarit në duart e Rusisë.
Biznesi me grekët
Sakaq, Mesdheu është sërish në qendër të vëmendjes, edhe për një arsye tjetër, aspak të mirë. Që kur Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit 2022, sektori grek i anijeve ka vazhduar të fitojë para nga transportimi i naftës ruse. Megjithatë, grekët kanë gjetur një biznes edhe më fitimprurës, shitjen e anijeve për blerësit misterioz që janë të lidhur me Rusinë. Portali i lajmeve TradeWinds njoftoi në mes të shkurtit të këtij viti se kishte një “shitje të madhe të cisternave greke” dhe se këto ish-anije greke tani lundrojnë në dete dhe oqeane “gri”, siç shkruan Foreign Policy. Republika Helenike ishte edhe një herë pronare e flotës më të madhe në botë vitin e kaluar. Më pas Rusia sulmoi Ukrainën dhe Perëndimi u kundërpërgjigj me sanksione. Kjo nuk u pëlqente pronarëve grekë.
“Sanksionet nuk kanë funksionuar kurrë,” tha manjati grek i anijeve George Prokopiou qershorin e kaluar.Kërkesa për naftë mbeti e lartë, megjithatë, cisternat ruse që transportonin sasi të mëdha nafte ishin nën sanksione dhe nuk mund ta transportonin atë. Në ndihmë të tyre erdhën pronarët grekë të anijeve. Ish-cisternat greke janë tani pjesë e një flote të errët anijesh të përdorura që transportojnë mallra ruse pa sigurim standard dhe bëjnë gjithçka për të mos u zbuluar. Çfarë do të ndodhë nëse një nga ato cisterna fillon të rrjedhë naftë? Apo nëse përplaset me një anije tjetër? Apo nëse një anëtar i ekuipazhit lëndohet? “Nuk është e paligjshme, por manjatët e anijeve po vënë në rrezik marinarët, oqeanet dhe kafshët detare. Le të mos flasim për Ukrainën. Është tragjedia e Greqisë,” përfundoi kolumnistja e Foreign Policy, Elisabeth Braw.