Shkencëtarët belgë, Maurice Mommaerts dhe Robbert Cleymaet, nga Universiteti i Brukselit, kanë kryer kërkime për të përcaktuar se cila femër ka nofullën më të bukur.
Pjesëmarrësve të anketës iu kërkua të vlerësonin pjesë të ndryshme të nofullave të 53 femrave të famshme.
Pas kësaj, ata zbuluan se modelja amerikane, Gigi Hadid, ka një nofull pothuajse të përsosur prej 141.9 gradë (nga profili), që është shumë afër këndit “perfekt” prej 142 gradësh (sipas raportit të ekspertëve).
Rezultatet e hulumtimit u publikuan në Journal of Cranio-Maxillo-Facial Surgery, ndërsa kur fytyra e modeles iu shfaq 32 kirurgëve ekspertë të fytyrës dhe 16 njerëzve të zakonshëm, ata njëzëri ranë dakord se nofulla e saj nuk ishte as shumë e pjerrët dhe as shumë e sheshtë.
“Është e mahnitshme se ndryshimet relativisht të vogla në nofullat e femrave mund të kenë një ndikim të madh në atë që ne e shohim tërheqëse. Pandemia ka intensifikuar takimet në internet dhe njerëzit janë bërë më të vetëdijshëm për pamjen e fytyrës së tyre”, kanë thënë studiuesit.
Në mesin e të famshmeve që gjithashtu u renditën lartë në këtë sondazh, përfshihen Miley Cyrus, Amber Heard, Brigitte Bardot, Irina Shayk, Stella Maxwell, Jessica Stam e Kate Moss.