Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka kritikuar qasjen e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.
Sipas saj ngjashëm sikurse ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini edhe Mirsolav Lajçak “po e prish” dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“NJË HISTORI E SHKURTËR E DIALOGUT TË PAPARIM TË NDËRMJETËSUAR NGA BE: #Mogherini e prishi dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja nga një dialog për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një dialog për ndryshime kufijsh (lexo: ndarja e Kosovës). Në mënyrë të ngjashme, #Lajcak e prishi mandatin e BE-së nga një marrëveshje përfundimtare ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një format dialogu të hapur, për një marrëveshje të ndërmjetme gojore/jodetyruese për zbatimin e njëanshëm të të ashtuquajturës “ASMM””, ka shkruar ajo në platformën sociale X.
Ndryshe Lajçakun këtë të hënë e akuzoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se është koordinuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.