Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe sot është bërë prezantimi zyrtar i konceptit të detajuar për organizimin e kësaj ngjarje multisportive në vendin tonë.
Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinië dhe Sportit, Hajtulla Çeku deklaroi se kjo është një ngjarje historike për vendin tonë sepse bazuar në hapësirën territoriale që ka Kosova, ato kanë rëndësinë e njëjtë me Lojërat Olimpike që organizohen vitin e ardhshëm në Francë.
Ai shtoi se 19 komuna në Kosovë do të shndërrohen në qendra të mëdha sportive dhe se ato do të jenë përfituese të investimeve në infrastrukturën sportive ku do të përfshihen ndërtimi dhe renovimi i 24 objekteve sportive, duke përfshirë edhe ndërtimin e stadiumit nacional.
Çeku bëri të ditur gjithashtu se për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të hartohet një ligj i veçantë në Kuvendin e Kosovës, e po ashtu do të krijohet një mekanizëm i cili do ta bëjë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e infrastrukturës sportive ku janë të parapara që të investohen mbi 250 milionë euro deri në vitin 2030.
Nga ana tjetër, Presidenti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se marrja e të drejtës së organizimit të Lojërave Mesdhetare ishte një premtim i dhënë nga udhëheqja e re e KOK ut, por deri te ky rezultat kishte sfida të mëdha.
Ai tregoi se ishte e vështirë, sidomos për shkak të lobimit të madh nga ana e Serbisë kundër Kosovës në këtë proces dhe se për 55 votat pro të marra në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare u desh të bëhej fushatë e jashtëzakonshme nga ana e gjithë shtetit të Kosovës.