Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerëson se Kosova momentalisht nuk qëndron në pozicion të mirë si shtet dhe është në pritje të sanksioneve të reja.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ai u shpreh se një vend i sanksionuar dhe që mban komunikime me konferenca me ndërmjetësues e me aleatë ndërkombëtarë, nuk është në pozicion të mirë, dhe siç tha, është në pozicion vajtues dhe më pas është në pritje të masave tjera.
Tutje ai shtoi se pozicioni i Kosovës sot është shumë më i rëndë se sa që ka qenë para tri vjetëve, dhe kjo në përgjegjësi të qeverisë aktuale.
“Serbia investon në destabilizimin e Kosovës, ka trupa të veçantë që operojnë në Kosovë, madje ka edhe brenda institucioneve të Kosovës, sepse për shkak të konstruktit politik e etnik të Kosovës është fare e lehtë që të ketë edhe qasje në institucionet tona. Pra, qasja e Serbisë ndaj Kosovës është totalisht e parashikuar dhe e pritshme. Por ne mund të themi që në këtë periudhën trevjeçare nuk do ta kisha menduar ndonjëherë ndonjë rast ku e bëjmë Serbinë të duket e arsyeshme në sytë e komunitetit ndërkombëtar, dhe e bëjmë Kosovën të vetmuar dhe pa mbështetje bllanko. Tani jemi të sanksionuar dhe në një pozicion shumë më të vështirë”, deklaroi Abdixhiku.