Vuçiqi s’e jep Vulinin, BIA mbetet në duart e të sanksionuarit nga SHBA-ja

by Nexhat

Informacionet se Aleksandar Vulini do të zëvendësohet nga drejtimi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) me Marko Gjuriqin, ambasador aktual i Serbisë në SHBA, kanë shtuar inatin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka mohuar se do ta largojë nga udhëheqja e BIA-s Vulinin, të sanksionuarin nga SHBA-të dhe njërin nga politikanët më pro-rus në Serbi.
“Ndoshta kam planifikuar që ta zëvendësoj, por tani nuk mundem”, tha Vuçiq.

banner

Duke komentuar spekulimet nga disa media se Vulini shpejt do të zëvendësohet, Vuçiqi tha se pretendime të tilla “ia zgjatën atij mandatin”.

Më 11 korrik, SHBA-ja e futi Vulinin në listën e sanksioneve, nën akuza për përfshirje në trafikim droge, por edhe për lidhjet me Rusinë.

Pas kësaj, Vuçiq deklaroi se sanksionet ndaj Vulinit ishin përgjegjësi e tij, për shkak se, “unë nuk kam vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi më 22 gusht se SHBA-ja nuk pajtohet me autoritetet në Serbi sa i përket sanksioneve kundër Vulinit, duke shtuar se Uashingtoni ka problem me orientimin e tij pro-rus.

Në vendimin e Departamentit amerikan të Thesarit është thënë se Vulini përdori pozitat e tij publike për të mbështetur Rusinë.

Përpara se të emërohej në krye të BIA-s, në dhjetor të vitit 2022, Vulin mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme, ndërkaq, më parë, ministër i Mbrojtjes.

Nënsekretari amerikan i Thesarit, Brian E. Nelson, më 11 korrik, tha se Vulin konsiderohet përgjegjës për “akte korruptive dhe destabilizuese që kanë mundësuar gjithashtu aktivitete keqdashëse të Rusisë në rajon”.

“Duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë, të cilat degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në këtë mënyrë i ka siguruar Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm në rajon”, thuhet në deklaratë.

Vulin, i njohur për marrëdhëniet e tij të ngushta me Moskën, nuk i ndërpreu kontaktet edhe pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainën fqinje, në shkurt të vitit 2022.

Herën e fundit, siç raportojnë mediat shtetërore ruse, ai ishte në Moskë, më 24 maj, si përfaqësues i Serbisë në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë.

Vulin, gjithashtu, qëndroi në Moskë, në gusht të vitit 2022, si ministër i Punëve të Brendshme.
Vulin po ashtu është edhe përkrahës i retorikave nacionaliste serbe kundër fqinjëve të saj. Njeriu i afërt i Vuçiqit kishte nderuar kriminelët e luftës si Sllobodan Millosheviq e Ratko Mlladiq./The Geopost

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy