Çka do të ndodhë me dialogun? Kurti ende s’ka folur, Konjufca i çoi një mesazh BE’së

by Nexhat

Glauk Konjufca i ka dhënë mbështetje Albin Kurtit i cili e akuzoi ndërmjetësin e BE-së për “skenar kundër Kosovës” në dialogun me Serbinë. Kryeparlamentari tha se Lajçak ka kontribuar që pozicioni i Serbisë për implementimin e marrëveshjes të bëhet qëndrim i BE’së. Ai thotë se tash është vetëm një rrugë për t’u ndjekur, përndryshe dialogu s’mund të avancojë. Qeveria paraprakisht tha se është gabim të vendosen kushtëzime për zbatimin e saj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka paralajmëruar probleme për avancimin e dialogut me Serbinë pas zhvillimeve të fundit respektivisht pasi BE e zyrtarizoi kërkesën që implementimi të nis me Asociacionin.

Ai i dha të drejtë kryeministrit Albin Kurti, i cili të hënën tha se në takimin e fundit me Aleksandar Vuçiqin pati një skenar të koordinuar kundër Kosovës ndërmjet presidentit serb dhe emisaririt të BE-së, Miroslav Lajçak.

“Së pari nuk mendoj që ato ishin akuza. Ishin disa konstatime për mënyrën e punës së z. Lajçak. Është vërejtur, më thënë të drejtën, qysh në fillim që z.Lajçak më shumë… qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë, lë të themi, marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht e pasaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm dhe formulimeve që ai i qet në zgjidhjet që i propozon, me mujtë me qenë pikënisje e pozicionit të Serbisë. Qysh me mujtë, do me thënë, me e akomodu në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari tha se “qasja origjinale ka qenë krejt ndryshe” nga pozicioni i Serbisë që kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive. Duke e pasur parasysh pozicionin e Lëvizjes Vetëvendosje në dialog, “ekspertët që e kane përpiluar Marrëveshjen e Ohrit e zgjeruan ombrellën”.

“Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja dhe Asociacioni. Tash Lajçaku po thotë vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë, kur do ajo. Do me thënë ky është pozicion i Serbisë. Nëse z. Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE-së, atëherë ne mund të themi që z. Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia. Mua nuk më duket kjo e drejtpeshuar fare. Është devijim prej idesë origjinale. Ideja origjinale është: nuk ka Asociacion pa njohje. Nuk mundesh Asociacionin me e marrë edhe me e heq prej idesë se njohjes”, tha Konjufca.

Sipas tij, Serbia duhet të reflektojë, t’i njoh simbolet e shtetit të Kosovës dhe të mos e pengojë në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, dhe pastaj “është në përgjegjësinë e Kosovës me ia gjetë një formë të Asociacionit”.

“Nëse mundoheni me e shkatërru këtë ide, atëherë jeni në favor të Serbisë. Është përfaqësim i poziciont të Serbisë. Është kaq e thjeshtë. Nuk është akuzë kjo. Kjo është thjesht identifikim i një njeriu i cili p’e kryen punën e vet goxha në mënyrë goxha të papërgjegjshme”, tha Konjufca.

Në fund, ai tha se ka vetëm një rrugë përpara.

“Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara: Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, tha Konjufca.

Qeveria tha të martën se “me metodën e vjetër nuk mund të ketë rezultate të reja”, duke theksuar se “Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në tërësi”.

“Takimi i fundit bilateral është ndërprerë nga z. Borell. Nuk ka përfunduar. Me metodën e vjetër nuk mund të ketë rezultate të reja. Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa, pa kushte. Për çdo shkelje ndërmjetësit duhet të reagojnë, jo të heshtin”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai tha se “çdokush do që e lexon tekstin e Marrëveshjes Bazike, e ka të lehtë ta evidentojë se në qendër të asaj marrëveshjeje është njohja de-facto e ndërsjellë, njohja e intergritetit territorial dhe barazia sovrane e njëra tjetrës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike në bazë të Kartës se OKB-se”.

“Përpjekja për t’i zhvendosur këto në kohë e dëmton Marrëveshjen Bazike, por edhe gjithë procesin përpara. Në takimin e fundit, ne prezantuam propozimin tonë për sekuencim të zbatimit të Marrëveshjes i cili, përveçse ishte i vetmi atë ditë në tavolinë, ne besojmë thellësisht që është i drejtë, i balancuar, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me Marrëveshjen Bazike. Është gabim të vendosen kushtëzime për zbatimin e saj, kur as vet në tekstin e Marrëveshjes Bazike nuk paraqiten kushtëzime. Madje në Aneks thuhet qartazi se të gjitha nenet zbatohen pavarësisht njëra tjetrës”, tha zëdhënësi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy