Prokurori në udhëtim zyrtar, shtyhet gjykimi për vrasjen e ndodhur 22 vite më parë

by Nexhat

Për shkak se prokurori Armend Hamiti gjendet në një udhëtim zyrtar jashtë vendit, ka dështuar të mbahet të mërkurën gjykimi në rastin ku Fahri Kajtazi, Labeat Kastrati dhe Hamdi Marviqi, po akuzohen për vrasjen e A.M, në vitin 2001 në lokalin “Inter Klub” në Prishtinë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Kuçi, prokurori Hamiti përmes një parashtrese të datës 15 shtator 2023, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm në shqyrtim gjyqësor pasi që i njëjti gjendet në një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

banner

Gjithashtu në këtë seancë, ka munguar edhe mbrojtësi i viktimave, i cili sipas gjykatësit Kuçi ka qenë i njoftuar për seancë mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç tyre, në këtë seancë kanë munguar edhe dëshmitarët Skender Berisha, Ibër Alaj dhe Besim Mehmeti

Për mungesën e dëshmitarit Berisha, gjykatësi Kuçi tha se i njëjti përmes një parashtrese i është drejtuar gjykatës se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor pasi që jeton në Gjermani, ndërsa në Kosovë ka qenë deri më 10 gusht 2023.

“Dhe ka deklaruar se si dëshmitar qëndron prapa atyre deklaratave të cilat i ka dhënë më herët si në Polici, po ashtu edhe para gjyqtarit hetues”, tha tutje gjykatësi Kuçi lidhur me dëshmitarin Berisha.

Ndërsa, për dëshmitarin Alaj, gjykatësi Kuçi deklaroi se për të njëjtin është lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës, mirëpo deri më tani nga Policia e Kosovës, nuk është pranuar asnjë njoftim lidhur me realizimin e kësaj urdhërese.

Kurse, për mungesën e dëshmitarit Mehmeti, gjykatësi ka thënë se sot përmes telefonit janë njoftuar nga Policia e Kosovës se i njëjti që 5 vite jeton në shtetin e Spanjës.

Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 7 nëntor 2023.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Ndërsa, të akuzuari Mavriqi e Kastrati me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, ku kishte kërkuar që aktgjykimi që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ai i mbrojtësve të tij të refuzohet si i pabazuar dhe në këtë pjesë aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002 të vërtetohet.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, i akuzuari Fahri Kajtazi, më 17 dhjetor 2001, rreth orës 02:30- 03:20, në “Inter Klub” në Prishtinë, pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve nga ana e tij drejtuar Labeat Kastratit dhe Hamdi Mavriqit, kur këta për t’iu shmangur zënkave dhe kërcënimeve të tij, vendosin të dalin nga klubi dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre, por para tyre ka dalë i akuzuari Fahri me shokët e tij A.M dhe Milaim Cakajn, i cili prapë vazhdon me sharje dhe kërcënime se do t’i vras.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Milaim Cakaj nga brezi ia merr revolen e markës “Crvena Zastava” dhe me të nga shkallët e Pallatit të Rinisë, nga një distancë e pavërtetuar shtie tri- katër herë në drejtim të tyre me qëllim që t’i privojë nga jeta, por nuk e godet asnjërin.

Në këtë mënyrë, akuzohet se ka kryer dy vrasje në tentativë nga neni 30 al.1 të Ligjit Penal të Kosovës (LPK) lidhur me nenin 19 të Ligjit Penal të Jugosllavisë (LPJ), i aplikuar sipas rregullores se UNMIK-ut, e të ndëshkueshme sipas dispozitës të nenit 30 al.3 të LPK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Milaim Cakaj, më 17 dhjetor 2001 në “Inter Klub” në Prishtinë, e ka poseduar pa leje armën-revolen e markës “Crvena Zastava”,

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë i pandehuri Cakaj ngarkohet se ka kryer veprën penale nga neni 8.2. e ndëshkueshme sipas nenit 8.6. të rregullores se UNMIK-ut nr.2001/7 për Autorizimin e Posedimit të Armëve në Kosovë.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë, të akuzuarit Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, si në pikën I të dispozitivit, pasi që më parë i akuzuari Fahri Kajtazi ka filluar që me revole të shtie në drejtim të tyre dhe këta i nxjerrin revolet e tyre, të cilat i kanë pasur me leje, Labeat Kastrati me revolen e markës “Tokarev”, kurse Hamdi Mavriqi, gjithashtu, me revolen e markës “Tokarev” dhe kanë shtënë shumë herë në drejtim të Fahri Kajtazit, me qëllim që të njëjtin, ta privojnë nga jeta.

Sipas këtij dispozitivi, duke shtënë në drejtim të tij, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

Në këtë mënyrë, akuzohen se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al.I të LPK lidhur me nenin 19 të LPJ, i aplikuar sipas rregullores së UNMIK-ut dhe veprën penale “Vrasje” nga neni 30 all të LPK, e të ndëshkueshme sipas nenit 30 al.3. të LPK

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy