Këtë të premte në Prishtinë do të shënohet “Dita pa makina”, një ngjarje ndërkombëtare, e cila organizohet në 2000 qytete të botës.
Për këtë Komuna e Prishtinës ka vendosur që të premten të mbyllet rruga deri te ‘rrethi i flamurit’ kështu do të mund të përdoret nga qytetarët.
Por kundër këtij vendimi ka dalë shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, duke thënë se kjo gjë do të vështirësojë jetën e qytetarëve që vijnë në Prishtinë për të punuar.
”Vendimi i fundit i kryetarit të Prishtinës z. Rama, për të mbyllur sheshin deri të rrethi i flamurit e godet në masë të madhe një kategori të gjerë të qytetarëve, të cilët jetojnë afër atyre rrugëve, por edhe të atyre që vijnë dhe e kanë burim të mbijetesës Prishtinën”.
”Përparim Rama duhet ta dijë që njerëzit të cilët vijnë në Prishtinë, në ato rrugë, nuk vijnë për prestigj, por vijnë të punojnë e të jetojnë. Dhe, ky vendim dëmton të drejtat e njeriut, planin e mobilitetit dhe gjithçka tjetër që lidhet me kryeqytet”, ka thënë Tahiri përmes një video teksa ka paralajmëruar një shkrim kundër këtij vendimi.
Kujtojmë se pushteti lokal në Prishtinë ka mbyllur rrugën ”Xhorxh Bush” për makinat.