Një person është vrarë mëngjesin e sotëm në fshatin Banjë të Malishevës.
Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Personi i dyshuar që ka kryer vrasjen është vetëdorëzuar në stacionin policor në Malishevë.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë – Malishevë viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka konfirmuar Elezaj.
Ai shtoi se njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe është njoftuar prokurori i Shtetit, në koordinim me të cilin janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.