Misioni i KFOR-it në Kosovë ka thënë se Policia e Kosovës e ka njoftuar vetëm një ditë më vonë në lidhje me arrestimin e tre serbëve në veri të vendit të dyshuar për krime lufte.
“Policia e Kosovës na ka njoftuar për arrestimin e tre serbëve, i cili ka ndodhur më 20 shtator, vetëm një ditë më vonë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të KFOR-it për portalin në gjuhën serbe “Kosovo online” në lidhje me atë se sa ishin të informuar për aksionin e përmendur.
Përgjigja e KFOR-it më tej kujton deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg gjatë konferencës për shtyp me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kur ai deklaroi se “ka nevojë për koordinim dhe konsultim të ngushtë ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo dislokim që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë”.
Stoltenbergu po ashtu ka bërë të qartë se “ne presim konsultime me kohë dhe kuptimplotë për çdo veprim të Forcave të Sigurisë së Kosovës ose Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”, thotë KFOR-i.
Në fund, misioni thekson se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia, mbetet në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit EULEX të udhëhequr nga BE-ja, në përputhje me procedurën për koordinim paraprak që tashmë është rënë dakord mes këtyre subjekteve.