Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një takim me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, shkruan Gazeta Express.
Në takimin me të, Osmani tha se roli i SHBA-së është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë, në Ballkanin Perëndimor.
“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Presidentja tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.
Sipas Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ky takim është zhvilluar gjatë qëndrimit të Osmanit në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
