Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer.
Në takimin e përbashkët, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapa për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.
Sipas Presidentes Osmani, në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.
Në këtë kontekst, Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.
“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, tha Presidentja Osmani.
Prandaj, sipas Osmani, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
Sipas një komunikate të Presicencës, në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Presidentja Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, ka theksuar Presidentja Osmani.