Zëvendës kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar të krijuar sot në veri të Kosovës pas vrasjes së një efektivit të policisë.
Gjekmarkaj u shpreh se pas këtij veprimi rreziku i konfliktit Kosovë-Serbi është rikthyer.
Sipas tij në këto orë tragjike bëhet edhe më i rëndësishëm koordinimi i faktorit shqiptar në Prishtinë e Tiranë, por shtoi për fat keq prej muajsh dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës ndodhen në një konflikt absurd mbi baza personale i cili ka marrë përmasa folklorike.
“Sulmi ndaj policisë së Kosovës në zonën e manastirit të Banjskës nga një grup paramilitar serb, ka rikthyer edhe një herë rrezikun e një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë.
Një dëshmor më shumë Afrim Bunjaku ju shtua historisë së shqiptarëve. Lavdi të përjetshme sakrificës së tij.
Në këto orë tragjike bëhet edhe më i rëndësishëm dhe jetik koordinimi i faktorit shqiptar në Prishtinë e Tiranë. Për fat keq prej muajsh dy Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës ndodhen në një konflikt absurd mbi baza personale i cili ka marre përmasa folklorike.
Kësaj situate që ka bllokuar defakto marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Kosovë i shtohet dhe vetë izolimi tejet i gabuar që Kryeministri Kurti i ka bërë vetes në raport me aleatet e mëdhenj amerikanë dhe europiane. Kurrë më shumë se sot Kosova nuk ka nevojë për SHBA dhe Evropën ashtu dhe për Shqipërinë. Siguria dhe ekzistenca sovrane e Kosovës varet nga SHBA raporti me të cilën as duhet provokuar as cenuar nga faktorët politikë shqiptar. Tek rritet eskalimi mendjet e shëndosha por dhe patriotike duhet të investohen në vetëpërmbajte. Një komb një qëndrim. Jo në kurriz të njëri tjetrit por me njëri tjetrin dhe aleatet”, u shpreh Gjekmarkaj.