pengje
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, me rastin e prezantimit të armatimit që dyshohet se është përdorur nga grupi terrorist, tha se nga pamjet e siguruara është vërejtur tendenca e grupit terrorist që civilët dhe pelegrinët e ndodhur në Manastir, janë tentuar të përdoren si pengje pasi që të njëjtit nuk janë lejuar të largohen.
“Gjatë monitorimit të pamjeve janë vërejtur edhe disa persona civilë, që kanë tentuar të lëshojnë hapësirën e Banjskës por se nuk janë lejuar…. Personat civilë kanë pas qëllim të përdoren si pengje nga sulmuesit”, tha drejtori Hoxha.
Tutje, Hoxha tha se armatimi i gjetur është i ngjashëm me armatimin e përdorur në protestën e qershorit, konkretisht në sulmet ndaj zyrtarëve të KFOR-it.
Ai e cilësoi si operacionin më të madh dhe të suksesshëm që nga paslufta në Kosovë.
“Operacioni më i madh dhe më i suksesshëm që nga paslufta në Kosovë”, shtoi Hoxha.
Po ashtu, Hoxha tha se qëllimi i këtij grupi kriminal ishte destabilzimi i vendit dhe jo vetëm brenda por edhe jashtë shtetit.
“Me qëllim destabilizimin e stabiliteti në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë”, tha Hoxha.
Një grup afërisht prej 30 personash sipas Hoxhës janë larguar në drejtim të fshatit Banjskë. Sipas Hoxhës për të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës pa pasur koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm me EULEX dhe KFOR.
Gjithnjë sipas Hoxhës, në ora 5: 20 të mëngjesit është bërë lokalizimi i personave të dyshuar dhe krejt kjo pas përdorimit të mjeteve të veçanta të përdorura nga Policia e Kosovës.
“Me përdorim të mjeteve të veçanta në 5:20 kanë bërë lokalizimin e personave të dyshuar”, tha ai.
Drejtori Hoxha tutje tha se duke marrë parasysh edhe prezencën e pelegrinëve serbë në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar dorëzimin e sulmuesve, thirrje të cilat janë refuzuar, sipas Hoxhës.
“Policia duke marrë parasysh prezencën e pelegrinëve në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës në ora 15:30 Policia e Kosovës ka arritur të sigurojë të gjithë civilët e ndodhur përreth si dhe të bëjë pastrimin e zonës.
Ai tha është arritur të konfiskohen 24 automjete të tipit Xhip, 1 automjet i blinduar, dy motor katërrotësh, qindra veshje dhe uniforma, raketahedhës, zolla, granta dore, qindra dinamitë, radio-lidhje, ushqim, medikamente mjekësorë dhe barela.
Hoxha sqaroi po ashtu se armatimi i gjetur është i ngjashëm me atë të gjetur ditë me parë nga Policia e Kosovës në veri të vendit.