Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte skenar i përbashkët i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe dy ndërmjetësve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Berisha ka thënë se ky është një skenar që i konvenon të gjithë atyre që ulen në tavolinën e bisedimeve, duke iu referuar Kurtit, Vuçiqit, Borrellit dhe Lajçakut.
“12 orë luftime, nuk u ndez asnjë alarm në ato fshatra. Tani vjen edhe reagimi i Vuçiqit në raport me situatën. Para ca kohe, kur u sulmua KFOR-i në atë tollovinë, dha urdhër për t’u afruar ushtria e Serbisë. Atë ditë nuk e dha. Ky është një skenar i përbashkët i atyre që ulen në tavolinën e bisedimeve. I katër personave që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës. Ata kanë nevojë për një skenar të tillë. Duhet me u rehabilitu si ndërmjetësues evropian dhe me u liru nga presioni për ta bërë Asociacionin që e kanë miratuar në Bruksel, Ohër dhe Bratislavë. Duhet me ble kohë që kjo mos me ndodh derisa të hymë në proces zgjedhor dhe këta diplomatë që kanë dështuar në ndërmjetësimin e çështjes së Kosovës, që kanë marrë nga ‘all in one’ me njohje dhe e kanë kthy marrëveshjen që s’ka as njohje, as ndryshim kushtetues në Serbi dhe e ke një situatë ku asnjëra palë s’i pranojnë detyrimet në marrëveshje”, ka thënë Berisha në “Konfront” të KTV-së.
Berisha ka thënë se “veriu nuk është dashur të sillet në pozitën në të cilën është”.
Ai ka thënë se duhet të tregohte se si u la të largohet “Milan Radojçiqi nga Banjska”.
“E gjitha kjo ishte me kriju kohë e me dhënë imazh sikur Albini po i ndjek këta. Albini s’po i ndjek, negocoi për lëshimin e tyre. Të presim raport zyrta.r Kush e liroj Radojçiqin që po e shfaq Xhelal Sveçla. Kush e lejoi të tërhiqet”, ka thënë Berisha. “Imagjino sikur Bin Ladenin duke e ndjekur gjithë bota, po filmohet aty brenda e lihet të largohet”.
Ai ka thënë se nuk ka asnjë raport se Radojçiq është plagosur.
“Veriu nuk është dashur të sillet në këtë situatë. Lavdia do të përcjellë veprën e policit që u vra. Por, turpi i historisë do t’i përcjellë këta që kanë krijuar rrethana që polici të flijohej në atë mënyrë”, tha Berisha.
Berisha ka thënë se “po vrapojnë kinezët e Facebookut me e ngrit në diskurs patriotizmin e heroizmin e shokut Albin”.
“Këto janë benefitet që do të ndodhin: lehtësimi i pozitës së atyre që kanë dështuar në diplomatikisht, forcimi i pozitës së Kurtit, blerja e mohës që të mos e bëjë Asociacionin, krijimin e adutit për ta marrë edhe një mandat. Vuçiqi përmes Vulinit i eliminon rrjetin kriminal, rrjet që ka kërcënuar edhe Vuçiqin me vrasje. Ai i solli në Kosovë po të vriteshin do të shpëtonte, e po që s’vriten atëherë prapë ndiqen penalisht, edhe Radojçiqi”, ka thënë Berisha. “I gjithi është skenar”.