Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot është pyetur se nëse do të ketë rol ndërmjetësues për t’i vënë para drejtësisë pjesëtarët e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës të dielën dhe që u larguan drejt Serbisë.
Stano ka thënë se BE-ja e ka të rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në këtë sulm terrorist të vihen para drejtësisë, por tha se sa i përket ndërmjetësimit do të bëjë atë që ka në mandat.
“Kontaktet tona me partnerët shkojnë përmes kanaleve përkatëse e jo mediave dhe publikut. Ne jemi në kontakt dhe ne do të bëjmë çfarë është në kompetencën tonë, në mandatin tonë”, tha Stano.
“E kam përsëritur shpesh që për ne është e rëndësishme që të gjitha faktet të vendosen. Një qartësim dhe hetim i plotë se çfarë ndodhi, kush ishte pjesëmarrës, kush organizoi dhe kush është përgjegjës për këtë sulm terrorist të vihen para drejtësisë. Duhet të shohim se kush e organizoi atë, kush e ekzekutoi këtë sulm terrorist. Dhe përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë, padyshim”, tha Stano në konferencën e sotme.