Deputeti i Partisë Demokratike, Srgjan Milivojeviq referuar zhvillimeve të së dielës në Banjskë, tha sot se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të duhet të japë dorëheqje sepse, siç tha ai, ka sakrifikuar rininë serbe.
Duke komentuar pretendimet e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq udhëhoqi 30 serbët që sulmuan policinë e Kosovës në Banjska të dielën, Milivojeviq tha se pjesëmarrja e Radoiçiqit në atë ngjarje tragjike nuk do të ishte befasi.
“Nëse Radoiçiq ka marrë pjesë në atë akt të çmendur, atëherë është absolutisht e qartë se pas çdo gjëje qëndron regjimi në Beograd i drejtuar nga Aleksandar Vuçiq. Nëse Radoiçiq apo dikush tjetër do ta kishte organizuar pa pëlqimin dhe urdhrat e Beogradit, ai tashmë do të ishte arrestuar ose ishte fundi për Vuçiqin”, tha deputeti serb për Beta.rs.
Ai theksoi se institucionet shtetërore në Serbi do të duhet të njoftojnë se sa persona kanë vdekur në Banjskë dhe sa janë plagosur dhe arrestuar.
“Në konferencën për shtyp të dielën në mbrëmje, Vuçiq dha të gjitha informacionet e pasakta. Autoritetet janë të detyruara t’i informojnë familjet se si dhe pse kanë vdekur të dashurit e tyre”, tha Milivojeviq.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë katër terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet e Kosovës.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake.
Në vendin ku do të bëhet çarmatimi, u pa një arsenal armësh të ndryshme, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.