Prokuroria e Posaçme në Shqipëri SPAK ka regjistruar një hetim sa i përket dyshimeve me abuzimet e fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë të njohura si IPARD nga Ministria e Bujqësisë.
Burime zyrtare të SPAK konfirmuan për A2 CNN regjistrimin e një hetimi penal për këtë çështje.
Sipas SPAK, hetimi ndodhet në fazën e verifikimit paraprak.
Në korrik, Komisioni Evropian ndërpreu përkohësisht fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD II, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi.
Lajmi u konfirmua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, që sqaron se kjo masë është marrë në kuadër të një hetimi të nisur nga Brukseli, pas akuzave për korrupsion me fondet për bujqësinë.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian, ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaroi për A2 CNN zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural reagoi duke u shprehur se programi nuk është ndërprerë dhe se procedura hetimore është normale: “Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Këto janë procedura normale të Bashkimit Evropian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë”,