Thirrja e presidentes Vjosa Osmani që Kosova ta nisë draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe bashkë me ShBA-në, është mirëpritur dhe kritikuar në të njëjtën kohë.
Ka vlerësime që pas sulmit terrorist të mbështetur nga Serbia kundër Kosovës nuk ka më kushte për nisjen e këtij procesi. Derisa në anën tjetër ekzistojnë mendime se thirrja e Osmanit është veprim pozitiv karshi kërkesave të vazhdueshme të aleatëve ndërkombëtarë.
“Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës”.
Moment të përshtatshëm e ka vlerësuar presidentja Vjosa Osmani fazën në të cilën gjendet vendi për të nisur themelimin e Asociacionit.
Ky mekanizëm, të cilin fillimisht e ka kundërshtuar, sipas saj, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, letrën e Mogherinit dhe qëndrimin amerikan që Asociacioni të jetë pa kompetenca ekzekutive.
Këtë qëndrim e vlerëson pozitiv, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, por ka dyshime nëse vjen në momentumin e duhur.
“Koha nuk është e volitshme aktualisht sepse natyrisht që emocionaliteti është shumë i madh për shkak të ngjarjeve të së dielës, mirëpo ideja është që pasi të kalojë një kohë natyrisht që është e domosdoshme që të gjithë akterët kosovarë të ulen, ta fillojnë draftimin e Asociacionit në mënyrë që Kosova ta rikthejë imazhin pozitiv që e ka pasur”, ka thënë Muhaxhiri për RTV Dukagjinin.
Mirëpo, Muhaxhiri shton se vendimmarrja kryesore për kohën, mënyrën dhe formatin e draftimit të Asociacionit i takon Kryeministrit Kurti, nga i cili pritet që procesin politik me plotë mangësi, ta kthej në avantazh për Kosovën.
Por mendim tjetër ka ish-diplomati, Sylë Ukshini. Qëndrimin e presidentes, ai e vlerëson naivitet diplomatik dhe moslexim të qartë të situatës.
“Mua më duket deklaratë e vonuar sepse amerikanët e kanë kërkuar këtë gjë dhe ka qenë presidentja personi më i zëshëm kundër Asociacionit dhe tani shtrohet pyetja, a ka qenë atëherë e sinqertë? apo është tani?. Në anën tjetër si mund të kërkosh Asociacion në këto rrethana kur Serbia ka shpallur ditë zie për terroristët”, ka thënë Ukshini.
Ngulja këmbë e Serbisë që veprimi i parë të jetë themelimi i Asociacionit dhe insistimi i Kosovës në anën tjetër që fillimisht të zbatohen pikat tjera të marrëveshjes së Ohrit, u bë shkak që të përfundonte pa ndonjë rezultat takimi i këtij muaji mes dy shteteve.