Kuvendi i Kosovës mban sot seancën e radhës ku në rend të ditës janë disa pika për shqyrtim.
Pos deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, si pikë e parë e rendit të ditës është edhe votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, ku disa deputet janë shprehur haptas kundër tij.
Në këtë seancë që fillon në ora 10:00, deputetët do të debatojnë, shqyrtojnë dhe votojnë edhe për shumë pika të tjera siç është: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.
Gjithashtu në rend të ditës është edhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe dhjetëra pika të tjera.
Si dihet, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten e kaluar i kishin tri seanca plenare.