Federata e Futbollit të Kosovës, ka reaguar pas pankartave shoviniste kundër Kosovës në ndeshjen e kampionatit grek mes Olympiakosit dhe Arisit mbrëmjen e kaluar.
Sipas FFK-së, shfaqja e pankartave të tilla dhe lavdërimi i grupit të terroristëve që pak ditë më parë kryen agresion ndaj shtetit të Kosovës, është shkelje e rëndë e vlerave të futbollit.
“Ne jemi të vetëdijshëm për lidhjen e fuqishme të grupit të tifozëve të Olympiakosit me grupet radikale të tifozëve në Serbi, dhe për faktin se disa prej tyre janë serbë të infiltruar në këtë grup. Megjithatë, jemi të indinjuar nga mungesa e reagimit të Federatës Greke të Futbollit për t’u përballur me këtë situatë”, thuhet në reagim.
Tutje, Federata e Futbollit të Kosovës tha se Greqinë, Kosova e konsideron si shtet mik, teksa kërkoi nga autoritetet e futbollit grek të jenë të kujdesshëm ndaj rasteve të tilla, të ndjekin me përgjegjësi protokollin e UEFA-s dhe të ndëshkojnë incidentet e tilla në mënyrë adekuate.
“Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të ndërtojë ura miqësie dhe bashkëpunimi në futboll dhe nuk do të lejojë që të ashtuquajturit tifozë ta keqpërdorin këtë sport me ngjyra raciste”.
“Ne kërkojmë nga UEFA që të angazhohet edhe më fuqishëm në luftën kundër diskriminimit në të gjitha stadiumet dhe të sigurojë që futbolli të mbetet një burim argëtimi dhe bashkëpunimi për të gjithë, duke ndihmuar kësisoj në mbrojtjen e vlerave ndërmjet popujve”, thuhet në reagimin e FFK-së.