“Serbinë s’mund ta kemi mik”, ish-ministri Bushati me tone të forta për Kosovën: Shqipërisë nuk i takon t’i shkelë syrin Beogradit

by Nexhat

Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” nuk ka qëndrim të ngjashëm me linjën e ndjekur nga Tirana zyrtare në raport me Kosovën dhe Serbinë. Me bindjen se Kosova është çështje e interesit kombëtar dhe jo çështje klasike e politikës së jashtme, Ditmir Bushati kërkoi që qeveria të rishikojë pozicionin e saj në raport me vendet e rajonit, veçanërisht me Serbinë. “Politika jonë e jashtme është orientuar mes Italisë dhe Greqisë për të dëshmuar përkatësinë tonë europiane dhe mesdhetare. Serbinë duhet ta shohim përmes syve të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të kultivojmë një marrëdhënie normale, por mbase as pas 50 apo 100 vitesh ne nuk do të jemi dot miq me Serbinë. Çdo lloj rruge normaliteti dhe miqësie duhet të kalojë përmes Kosovës.”- tha zoti Bushati gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço në RTSH.

Me nota kritike ndaj qëndrimeve, sipas tij, përkëdhelëse ndaj Serbisë, Ditmir Bushati e thotë hapur se ky nuk është një qendrim që i takon Shqipërisë ta mbajë. “Perëndimi e ka përkëdhelur Serbinë veçanërisht 2 vitet e fundit, pas agresionit rus në Ukrainë. I ka shkelur syrin qoftë për qasjen autokratike, qoftë për qasjen ndaj fqinjëve. Shqipërisë nuk i takon ky pozicion, sepse ne, përpara se të jemi euroatlantikë, kemi interesat tona kombëtare si shqiptarë. Shihni Kroacinë si reagon për çdo gjë që bën Serbia në Kosovë. Janë kroatët më pak apo më shumë euroatlantikë se ne? Jo! Kanë një interes kombëtar më shumë se ne në Kosovë? Kurrësesi!”- theksoi ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati në intervistën për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

banner

• Kritikat ndaj qeverisë Rama, Ditmir Bushati: SPAK nuk mund të zëvendësojë qeverisjen. Duhen zbatuar standardet e BE-së për korrupsionin.

Që kur është larguar nga qeveria, Ditmir Bushati është rezervuar të komentojë mënyrën sesi po qeveris Partia Socialiste, por në intevistën me gazetaren Elona Meco ai ka folur dhe dukshëm ka qendrime kritike për cilësinë e qeverisjes. “Ka disa lloj përgjegjësish. Ka përgjegjësi politike, ka përgjegjësi administrative, përgjësi ligjore. Pra, nuk besoj se SPAK-u apo Altin Dumani, megjithë punën e mirë që mund të bëjë, mund të zëvendësojë qeverisjen”.- u shpreh Ditmir Bushati në emisionit “Pa Censurë”. Ai mori si shembull rastin e incineratorëve për të ilustruar politikat e gabuara të qeverisë Rama në raport me përgjegjësinë publike. “Ka disa lloj përgjëgjësish. Ka përgjëgjësi politike, ka përgjegjësi administrative, përgjegjësi ligjore. Pra, nuk besoj se SPAK-u apo Altin Dumani, megjithë punën e mirë që mund të bëjë, mund të zëvendësojë qeverisjen. SPAK-u jep vendime për përgjegjësinë individuale të personave që mund të kenë shkelur ligjin, ndërkohë që pikëpyetje e madhe është sesi i kthehet mbrapsht borxhi qytetarëve për abuzimin apo për shpërdorimin e detyrës.”- theksoi zoti Bushati në intervistën me gazetaren Elona Meço në RTSH.

Ndërsa rastin e pezullimit të fondeve për bujqësinë nga BE e përdori për t’I treguar qeverisë standardin që duhet të ndjekë, kur ka dyshime për korrupsion, pa qenë nevoja të presë se çfarë do të bëjë SPAK dhe ta mbyllë çështjen vetëm me përgjegjësinë ligjore të individëve. “KE ndërmori veprime për të ndaluar gjakderdhjen financiare. Nuk është i rëndësishëm për Komisionin Europian parimi i prezumimit të pafajësisë? Ne duhet të ndjekim këtë standard dhe të mos presim vetëm nga SPAK-u”- u shpreh Ditmir Bushati. Zoti Bushati beson se vendit i duhet një opozitë e fortë dhe jo e akaparuar, siç thotë ai, për të ekuilibruar jetën politike në shërbim të interesit publik.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy