Haxhi Shala nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se pasuria e Milan Radojçiq do të duhej të sekuestrohej menjëherë pas përfundimit të aksionit policor në Banjskë të Zveçanit.
“Unë mendoj që pak janë vonuar sepse ka tri-katër ditë që aksioni veçse është kryer dhe është vërtetuar se Radojçiqi është pjesë e këtij ekipi”, ka thënë Shala kur u pyet se nëse bastisja në vilën e Radojçiq ishte veprim i duhur.
Shala ka thënë se më e vlefshme është të sekuestrohet një dokument sesa ajo që ai e cilësoi si “pjesa teknike”.
“Ne duhet menjëherë me bastisë, në momentin që ai është vërejtë se është aty, me I’u bastisë e gjithë pasuria”, ka shtuar Shala.
Sipas tij, Prokuroria dhe Policia “janë vonuar pak” për të sekuestruar pasurinë e Radojçiq.
Ai ka vlerësuar se Njësitë Speciale duhet të jetë aktive dhe se çdo ditë të vërehet prezenca e tyre në veri të vendit.
“Njësitë Speciale duhet të jenë shumë aktivë, çdo ditë në veri me u pa prezenca e tyre, jo vetëm për të arrestuar njerëz por për të parë një siguri qytetarët tanë-edhe të komunitetit serb, me pa që Njësia Speciale nuk ëshrtë kundër komunitetit serb por ndaj atyre që janë kundër ligjit”, është shprehur Haxhi Shala.